Nga Ajgena Korbi
Pas shtatë ditësh nisin aplikimet për në universitet. Portali u albania hapet më 29 korrik. Të gjithë atyre që duan të ndjekin studimet e larta Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj iu këshillon;
“Të marrin informacionet e duhura në portalin u albania, si për programet e studimit dhe për kriteret e pranimit. Mund të krahasojnë kriteret për një degë të caktuar dhe ta shohin a mund të futen me rezultatet që kanë”.
Gjashtë ditë afat do të kenë maturantët për të zgjedhur degët e pëlqyera në shkollat e larta publike dhe private ndërsa portali do të qëndrojë i hapur 24 orë.
“Maturantët duhet të kenë parasysh që kodin e aplikimit që e kanë pasur në mandat pagesë ta ruajnë se me të mbyllet procesi i aplikimit në fund kur kërkohet konfirmimi”.
Pas marrëveshjes mes dy qeverive të rinjtë nga Kosova këtë vit mund të konkurrojnë për një vend në universitetet shqiptare njësoj si ata nga Shqipëria.
“Duhet të aplikojnë përmes A1 dhe A1Z. Ju bëhet njohja e diplomës përmes QSHA dhe pastaj procesi administrativ kryhet pranë gjimnazit “Sinana Tafaj”.
Ndryshe nga vjet, nota mesatare 7.5 për ata që duan të ndjekin degët e mësuesisë do të jetë kusht vetëm për vijimin e studimeve Master, jo për ciklin e parë Bachelor
“Atyre do iu dali një njoftim; ju e keni mesataren poshtë asaj të mësuesisë nuk mund të vijoni me ciklin e dytë. Është një mundësi më shumë për ata maturantë të cilët deri dje donin të studionin në degë të gjuhëve të huaja, histori, gjeografi të aplikojnë për këto degë, të ndjekin studimet “Bachelor”, me pas të ndjekin program “Master” për përkthyes, pa vijuar mësuesinë”.
Ashtu si vitet e shkuara maturantët mund të rendisin online dhjetë degët më të pëlqyera. Kusht për hyrjen në universitete publike dhe private është mesatarja 6.5. Ata që nuk e arrijnë këtë notë mund të aplikojnë për programet profesionale dy vjeçare. /abcnews.al