Nga e mërkura e 29 janarit, çdo qytetar i dëmtuar nga tërmeti i dy mujave më parë do të duhet të aplikojë online për të përfituar nga programi i rindërtimit.
Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj i kujtoi qytetarëve se e kanë të detyrueshme aplikimin online pranë zyrave të bashkive nëse do të dëshirojnë të kompesohen për dëmet që kanë pasur. Por për demokratët 2 muaj pas tërmetit tragjik, t’i thuash qytetarëve aplikoni online është tallje. Ish-deputetja, Jorida Tabaku thekson se pas 60 ditësh qytetarët prisnin zgjidhje.
“A ka tallje më të madhe se ti thuash atyre që janë në çadra dhe në shi aplikoni online. Në dy muaj çfarë ka bërë shteti? Çfarë informacioni ka mbledhur, a ka shkuar në zyrat e hipotekës për të parë një regjistritm të të gjithë pronave? A kemi një raport të ekspertëve për secilën banesë që është prekur nga tërmeti se çfarë dëmesh ka pasur? Në kërkuan që të dilnim me një paketë taksash”, tha Tabaku.
Për Tabakun, sistemi online e-albania i ngritur nga qeveria ka qenë një dështim, ndaj edhe ishte e tepërt që në këtë program të shtoheshin edhe të dëmtuarit e tërmetit.
“I gjithë sitemi që ka ngritur është tallje, por që të shtosh edhe tërmetin kjo është një mungesë serioziteti. Kjo tregon paaftësisnë që kanë pasur në këtë proces. Kur pret që pas dy muajsh të kenë dosje të plotë, këta të thonë apliko online”, u shpreh Tabaku.
Rolin e qeverisë në këtë fatkeqësi natyrore, ish-deputetja e sheh përmes 3 dështimeve të njëpasnjëshme.
“ Së pari fakti që nuk patën menaxhim të situatës. Ligji i emergjencave civile edhe pse ishte i ri e nxori totalisht jashtë funksionit shtetin dhe së treti qeveria ka qenë e paaftë që të lokojë burime nga buxheti i shtetit”, theksoi më Tabaku .
Demokratët akuzojnë qeverinë për mënyrën se si po menaxhon fatkeqësinë natyre të 26 nëntorit. Sipas, Tabakut Shqipëria nuk mund të presë gjithçka nga Konferenca e Donatorëve pasi qeveria do të duhet të kishte rikonceptuar menjëherë buxhetin e shtetit./abcnews.al

