Burgoset ish prokurori/ Ishte i lirë, Apeli i Posaçëm dënoi me burg ish prokurorin Sali Hasa

schedule13:01 - 18 Qershor, 2025

schedule 13:01 - 18 Qershor, 2025

Ish-prokurori i Sarandës, Sali Hasa do të rikthehet në qeli, për shkak të dënimit për korrupsion.

Vendimi u mor të mërkurën nga Apeli I Gjykatës së Posaçme, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë për dënimin me 2 vite e 4 muaj burg për ish magjistratin e akuzuar për korrupsion, me ndryshimin që pjesën e mbetur të dënimit, rreth 10 muaj, ta vuajë në qeli dhe jo në shërbim prove.

Hasa është shpallur fajtor më 31 maj të vitit 2022 për veprën penale të korrupsionit pasiv të prokurorëve dhe funksionarëve të drejtësisë, por ai kishte qëndruar një vit në paraburgim dhe pjesa e mbetur iu la 4 vite shërbim prove.

Sipas  dosjes hetimore të SPAK, Hasa ishte përfshirë në një rast korrupsioni pasi ka pushuar një procedim penal kundrejt marrjes së parave për një person që ishte përfshirë në një ngjarje kriminale.. Me të u vunë në pranga edhe 5 të tjerë me akuzën e korrupsionit.

Gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e një shume prej 1,000 eurosh në favor të shtetit, ndërsa një shumë tjetër prej afro 2 mijë eurove do t’i rikthehen ish-prokurorit.  Vendimi është i apelueshëm në Gjykatën e Lartë brenda një afati 45-ditor.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!