Apeli i Johnson ndaj BE-së: Hiqni dorë nga ideja e Irlandës

schedule21:23 - 20 Gusht, 2019

schedule 21:23 - 20 Gusht, 2019

Shefi i qeverisë britanike, Boris Johnson ka deklaruar se BE duhet të heqë dorë nga ideja e një vije kufitare në Irlandën e Veriut në negociatat për Brexit. Por Brukseli është përgjigjur duke deklaruar se është i gatshëm të bëjë lëshime vetëm nëse Londra ofron alternativa të reja.

Kryeministri britanik Boris Johnson u ka thënë liderëve europianë se duhet të heqin dorë nga ideja e kufirit në Irlandën e Veriut, pasi një gjë e tillë është e dëmshme dhe anti-demokratike.

Në një letër dërguar presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, Johnson gjithashtu tha se një kufi, sado simbolik, do të minonte procesin që rrjedh nga marrëveshja e paqes e Irlandës së Veriut.

Por zoti Tusk reagoi duke thënë se ata që kundërshtojnë marrëveshjen ekzistuese të Brexit pa ofruar në këmbim alternativa të reja mbështesin rikthimin e një kufiri të mirëfilltë mes Irlandës së Veriut dhe Irlandës.

“Ky është realiteti, edhe pse ata nuk duan ta pranojnë”, tha Tusk.

Ai theksoi se varianti europian për kufirin është një lloj garancie për të shmangur rikthimin e një kufiri fizik në ishullin e Irlandës, veç rastit nëse gjendet një alternativë e re.

“Ky ka qenë një pozicion i qartë dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Europian dhe mbetet i tillë”, komentoi ndërkohë ministri i Jashtëm irlandez, Sajmon Kovenej.  Ndërkohë Komisioni Europian deklaroi se letra e zotit Johnson nuk ofronte një zgjidhje të aplikueshme për të parandaluar rikthimin e kufirit fizik irlandez.

Çështja e kufirit, e njohur ndryshe si “kufiri i butë”, është pjesë e marrëveshjes së negociuar nga ish-kryeministrja Theresa May me Brukselin, por e hedhur poshtë tre herë nga ligjvënësit britanikë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!