Apeli i GKKO ka pushuar çështjen për sekuestrimin e pasurive të Altin Hajrit në Shijak, konkretisht “Golden Resort”, të rihapur pas ankimimit të SPAK, pasi kjo e fundit ka hequr dorë nga ankimimi.
Në një njoftim për media GJKKO bën me dije se çështja e referuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm ndaj vendimit të Shkallës së Parë është pushur në mbledhjen e ditës së sotme, pas tërheqjes së prokurorit.
“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46 të ligjit 98/2016 si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm, përkundrejt vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka rrëzuar kërkesën për konfiskimin e pasurive të subjektit të aktit normativ Altin Hajri, sot më datë 01.10.2021, kolegji i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendosi:
– Pushimin e shqyrtimit të çështjes nr. 124 akti, datë 26.04.2021, regjistruar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm ndaj vendimit nr. 9/80, datë 12.03.2021 të gjykatës së Posaçme të shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për shkak të heqjes dorë nga ankimi”, thuhet në njoftim.
“Golden Resort” ishte pasuria e pare e sekuestruar nga OFL. Kjo e fundit i vendosi këtij biznesi sekuestro pasi Hajrat ishin të dyshuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Jan Prengës. m.v/abcnews.al