Gjermania ka ofruar mbështetjen e saj me aparatura jetë shpëtuese të teknologjisë së lartë, për forcimin e kapaciteteve të terapisë intensive në spitalet COVID.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në rrjetin social “Facebook” .
Ministrja e Shëndetësisë gjithashtu i bën apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm, ndërsa shton se në përballjen me betejën e koronavirusit, duhet bashkëpunimi i të gjithëve, për të këputur zinxhirin e përhapjes së infeksionit.
“Është e vështirë që një luftë të fitohet e vetme. Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë kemi arritur të forcojmë kapacitetet tona. Lufta më e madhe është ajo që duhet të vijojë në terren, për të këputur zinxhirin e infeksionit dhe për këtë duhet bashkëpunimi i të gjithëve”, tha Manastirliu
Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e COVID-19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale.
Ministrja Manastirliu rikonfirmoi edhe angazhimin financiar të qeverisë shqiptare për vaksinën anti-COVID dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID19.
Manastirliu ndau dhe me stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” angazhimin e qeverisë jo vetëm për të vijuar pagesën e bonusit special për mjekët në vijën e parë të përballjes me COVID-19 por edhe rritjen e konsiderueshme të pagave për të gjithë mjekët dhe infermierët, duke filluar nga viti që vjen.
/abcnews.al/