Anullohen ndeshjet e Superligës këtë fundjavë, pas bojkotit të gjyqtarëve

schedule18:30 - 7 Mars, 2019

schedule 18:30 - 7 Mars, 2019

Futbolli në Shqipëri pritet të ndërpritet nga kjo fundjave. Bojkoti i arbitrave mund të bëjë që ndeshjet të mos zhvillohen, ndërsa presidenti i Federatës, Duka, planifikon bisedime me kreun e gjyqtarëve, Tahir Kastrati.

Ky moment mund të ketë qenë i fundit për këtë sezon. Edhe pse rrahja në Kamzë nuk kishte asnjë lidhje me futbollin si sport, sërish kjo mund të mbetet në kujtesë si mbyllja e turpshme e një edicioni që u degjenerua hap pas hapi.

Shoqata Bashkimi i Arbitrave të Futbollit Shqiptar vendosi të mos dalë në fushë pa kthimin e Policisë së Shtetit nëpër stadiume, pas dhunës ndaj anëtarit të saj, gjyqtarit Eldorian Hamiti.

Ndeshjet e parashikuara për këtë fundjavë, jo vetëm në Superligë, por të çdo niveli, nuk do të zhvillohen, për momentin të shtyra për më pas.

Në Federatën Shqiptare të Futbollit, për momentin nuk mund të thonë asnjë konkrete se çfarë do të ndodhë më vonë, veçse qendrimi i arbitrave, nëse nuk ka reagim nga Policia, sjell ndërprerjen përfundimtare të sezonit.

Si pritet të zgjidhet kjo krizë?

Për momentin, titullarët kryesorë të Federatës, presidenti Duka dhe Sekretari I Përgjithshëm, Shulku, ndodhen në Stamboll, në një mbledhje europiane, dhe burime në institucion bëjnë me dijë se Duka është shprehur se do të bisedojë me kryetarin e arbitrave, Tahir Kastratin, me t’u kthyer në Shqipëri.

Federata e bëri paralajmërimin ndaj policisë në konferencën e saj të jashtëzakonshme ditën e hënë, por ende jo si ultimatum.

Besohet se Duka do të përpiqet ta bindë Tahirin që të mos ketë dështim të sezonit, pasi pasojat do të ishin të rënda.

Nëse bojkoti vazhdon deri në fund, do të thotë të dështojnë kampionatet e çdo kategorie dhe moshe, për meshkuj e femra, që klubet shqiptare të mos marrin pjesë në kupat e Europës, dhe që Shqipëria të ketë probleme me UEFA-n dhe FIFA-n. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!