Rebelët talebanë kanë paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se pasojat e tërheqjes së papritur të presidentit Donald Trump nga marrëveshja e paqes do të bien mbi qytetarët amerikanë.
Vendimi i presidentit Donald Trump për të anuluar marrëveshjen e paqes do t’u kushtojë jetën më shumë amerikanëve. Me këto fjalë kanë reaguar guerrilasit talebanë, pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga negociatat që do t’i jepnin fund thuajse 20 viteve luftë në Afganistan. Grupi islamik publikoi një deklaratë pasi Trump në mënyrë të papritur anuloi takimin sekret të planifikuar të dielën me liderët kryesorë të talebanëve në Kemp Dejvid. Trump tha se do t’i ndërpriste bisedimet me rebelët pasi ata morën përsipër përgjegjësinë e një atentati ku mbetën të vrarë 1 ushtar amerikan dhe 11 persona të tjerë. Një zëdhënës i rebelëve kritikoi Trump për tërheqjen nga dialogu dhe deklaroi se, trupat amerikane ishin përgjegjëse për një seri sulmesh të ndodhura në Afganistan. “Kjo lëvizje do të çojë në humbjen e jetëve të amerikanëve. Besueshmëria e tyre do të bjerë dhe qasja e tyre kundër paqes do t’i ekspozohet mbarë botës”, deklaroi zëdhënësi. Ndërkohë, në Uashington, sekretari i Shtetit Majk Pompeo tha se Shtetet e Bashkuara nuk do ta reduktojnë mbështetjen e tyre ushtarake për trupat afgane derisa të binden se talebanët do të zbatojnë angazhimet që kanë marrë përsipër./ABC News Albania 24/7