Anti-miting më 23 Mars? Përgjigjet Arben Ahmetaj

schedule19:58 - 18 Mars, 2019

schedule 19:58 - 18 Mars, 2019

Partia Socialiste do të mbledhë më 23 Mars Kongresin e saj, por diskutohet se mund të organizohet edhe një anti-miting. Ish-ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, tha se Partia Socialiste nuk ka në filozofi të krijojë diçka të tillë, por forca e saj është te përgjegjshmëria.

“Forca e PS-së është te përgjegjshmëria. Fuqinë e numrave ne e kemi qoftë në Kuvend dhe në Parlament. Nuk ka filozofi Partia Socialiste për anti-miting. Unë e kuptoj shumë mirë. Jemi vend i vogël dhe thartohemi në analizë. Ne kemi defektet tona. Ne meritojmë të kritikohemi për disa gjëra, por ama të marrim kreditet tona për përgjegjshmërinë që tregojmë. Numrat nuk janë arrogancë, por për t’u respektuar. Përplasja është vetëm dy, në zgjedhje dhe parlament”, tha Ahmetaj.

Për sa i përket situatës aktuale politike, deputeti i PS-së tha se opozita duhet të distancohet nga dhuna, e cila sipas tij, po bllokon integrimin e vendit në BE-

“Dhuna nuk është një instrument gjithmonë i planifikuar, dhuna është sekuencë e mungesës së përgjegjshmërisë dhe daljes së rregullave. Nesër mund të sjellë nja akt dhe një akt tjetër. Por jemi përpara fakti se opozita është duke bllokuar hapjen e negociatave”, tha ish-ministri.

Ai theksoi se parlamenti po mirëpret deputetët e rinj të opozitës të cilët janë firmosur nga kryetarët e partive përkatëse.

“Parlamenti në procedurë kushtetuese po mirëpret deputetët e rinj të opozitës. Janë lista që janë firmosur nga Lulzim Basha, kryetar i PD-së dhe Petrit Vesili i LSI-së. Nuk i zgjodhëm ne këto emra në listë. Kur flitet për një opozitë u ble s’u ble, kjo është qesharake, janë listat e tyre. Nuk i ka detyruar kush as të zgjedhin këtë listë, as të dalin nga parlamenti”, tha Ahmetaj.

Megjithatë më tej, ish-ministri i Financave tha se “Unë mendoj që lidershipi i opozitës do t’i rikthehet në një moment përgjegjshmërisë dhe do ulet të dialogojë në favor të integrimit. Do ta kuptojë që ajo që bën është kundër integrimit”.

Për sa i përket dialogut, Ahmetaj tha se qeveria është e gatshme që të ulet menjëherë me opozitën, kundër tendencës për të prishur imazhin e vendit dhe të diskutojnë për reformën zgjedhore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!