Ansi Agolli flet për karrierën në Amerikë

schedule14:50 - 2 Prill, 2019

schedule 14:50 - 2 Prill, 2019

Ish-kapiteni i kombëtares, Ansi Agolli, ka nisur një aventurë të re në futbollin amerikan. Ai tregoi për vazhdimin e karrierës dhe për kombëtaren, në emisionin “Pressing” në ABC News.

Lamtumira ishte e barabartë me një princ. Qarabag, klubi më i madh i Azerbajxhanit, e përcolli si hero Ansi Agollin, një shqiptar që veshi për 9 vite fanellën e tij, duke fituar gjithçka.

Pasi i vendosën në krah shiritin e kapitenit, shokët e skuadrës e shoqëruan përpara tifozëve. Sot, ish-kapiteni i kombëtares ndodhet në Amerikë, dhe tregoi kështu në emisionin “Pressing” në ABC News.

“Pas gati 9 vitesh në Qarabag që unë e quaj shtëpinë time të dytë, ishte momenti për të marrë vendime dhe mendoj e ishte një vendim i drejtë nga ana ime për të lëvizur në SHBA dhe për t’iu bashkuar familjes sime. Po njëkohësisht për të bërë edhe atë që unë dua më shumë, për të luajtur futboll”, tha Agolli.

Pyetja normale ishte sesi i duket Ansit, Amerika dhe futbolli i saj, ndërsa u bashkua me klubin e famshëm, Nju Jork Kozmos, ku dikur luajti Peleja e Bekenbaueri?

“Jam pritur mjaft mirë nga skuadra, mjaft ngrohtë. Sigurisht nuk është e lehtë nga ana ime për t’u ambientuar pasi kisha 9 vite duke luajtur me të njëjtën skuadër dhe tani po ndërroj ambient. Nuk është aq e thjeshtë megjithatë do përdor eksperiencën time për t’u ambientuar sa më mirë tek skuadra dhe për të bërë më të mirën tek kjo skuadër në vazhdim”, tha ai.

Çfarë mund të thotë ish-kapiteni për kombëtaren, në të cilën nuk bën më pjesë?

“Kur diçka nuk funksion dikush duhet të paguajë një faturë. Në rastin e parë këtë faturë e paguan trajneri. Ndiej keqardhje pasi në periudhën De Biasi u ndërtua një grup mjaft i mirë lojtarësh jo vetëm si futbollista, por edhe si njerëz. Me ardhjen e trajnerit të ri, ose me lënien e trajnerit aktual që është kjo kombëtare do të ketë atë vazhdimësinë që jemi mësuar më parë”, tha Agolli.

Ansi është optimist, por a e shikon veten sërish në kombëtare?

“Unë kam luajtur me kombëtaren 73 ndeshje. Kam bërë më të mirën time. Mendoj se nuk kam pishmane. Atë më pas e vendos ai që është për atë punë. Unë do jem gati gjithmonë, megjithatë do të thoja që lojtarët që kanë luajtur këtë periudhë në krahun e majtë, pavarësisht se skuadra nuk ka marrë rezultatet të mira, kanë bërë më të mirën”, tha ish-kapiteni i kombëtares./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!