Ann Linde këshillon për ligjin e medias, Rama gazetarëve: Do kalojë, mos ngatërroni OSBE me BE

schedule12:13 - 7 Tetor, 2020

schedule 12:13 - 7 Tetor, 2020

Ndërsa Linde po sqaronte se Shqipëria do të bashkëpunojë me Suedinë për luftën në krimin e organizuar në vijim, një nga gazetarët e pranishëm në konferencën e përbashkët të kryeministrit Edi Rama me ministren e Jashtme të Suedisë, Ann Linde, pyeti për qëndrimin e Suedisë për ligjin e medias dhe azilkërkuesit atje.

“Me Ramën diskutuam çështjen e Bjellorusisë, ka probleme që duhen zgjidhur në OSBE. Ndërkohë që sot me kryeministrin Rama kemi folur për çështjen e krimit të organizuar që vepron në Suedi. Jam shumë mirënjohëse që kryeministri ishte i hapur dhe i disponueshëm që ne të bashkëpunojmë në këtë aspekt”, tha Linde.

Pas kësaj deklarate kanë patur mundësinë që në konferencë të bëhen pyetje nga gazetarët, një prej tyre ishte ligji për median por edhe çështja e azilkërkuesve shqiptarë në Suedi.

“Kur bëhet fjalë për azilkërkuesit në Suedi, ne kemi pasur probleme nga disa vende të cilat kanë pasur kërkesa të pabazuara azili, në Suedi nëse nuk plotësohen kushtet për azil riatdhesohesh. Suedia është një mbrojtje vokale e lirisë së medias dhe është e rëndësishme që qeveria duhet të konsultohet me gazetarët dhe me anëtarë të tjerë të shoqërisë civile”, deklaroi Linde.

Ndërsa përfundoi përgjigjen e saj, menjëherë e ka marrë fjalën kryeministri Edi Rama i cili sa duket nuk ka qenë shumë dakord me pyetjen e gazetares duke thënë të mos ngatërronte OSBE me BE.

“Mos ngatërroni OSBE me BE, Ligji është i konsoliduar me OSBE ndërkohë që po bëhet edhe rregullimet e fundit. Ligji do kalojë, jo për ti mbyllur gojën gazetarëve por për të krijuar mjedis etik ku të gjithë flasin por ata që janë pre e sulmeve të pabaza të kenë të drejtë të mbrohen”, deklaroi Rama.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!