Kur dukej se rruga e Bajram Begajt drejt Presidencës nuk do të kishte pengesa, situata është qartësuar tani që kanë mbetur vetëm pak orë nga votimi i raundit të katërt në Parlament. Për të shkuar në Kuvend Begaj duhet të përmbushë edhe disa detyrime ligjore, siç është për shembull dorëheqja nga detyra aktuale e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Mësohet se Begaj e ka dërguar dorëheqjen e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, ku pas miratimit nga Peleshi nevojitet edhe firma e Metës për lirimin e tij nga detyra.
Lexo edhe: FOTO LAJM/ Maxhoranca pret firmën e Metës për Begajn, por çfarë po bën Presidenti
Ndërkohë, Presidenti nuk ndodhet në Shqipëri që prej ditës së djeshme, ndërsa mëngjesin e sotëm uroi “fundjave të mbarë nga Stambolli” duke marrë pjesë në një forum ekonomik në Maltepe të Turqisë.
Rrjedhimisht, Presidenti Meta nuk mundet që të japë firmën e tij brenda orëve që kanë mbetur për të liruar Begaj nga detyra në mënyrë që ai të zgjidhet në krye të shtetit në vend të tij.
Lexo edhe: “Prova e zjarrit”, sa vota do të marrë sonte Bajram Begaj? Çfarë paralajmëroi Rama
Nisur nga situata e krijuar, burime të abcnews.al bëjnë me dije se aktualisht Rama dhe Balla janë në një mbledhje në Kryesinë e Kuvendit me Klotilda Bushkën për të gjetur një hapësirë ligjore për të shmangur ngërçin në fjalë.
Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjidhja që do të gjejë maxhoranca për të mos djegur raundin e sotëm të votimit për Presidentin e ri të Republikës.
Megjithatë, burime bëjnë me dije se në çdo rast, maxhoranca do të votojë sonte Begajn si kandidatin e saj për President edhe nëse nuk gjendet një zgjidhje për ngërçin e krijuar.
Çfarë parashikon Kushtetuta?
Që Bajram Begaj të bëhet Presidenti, duhet që të dorëhiqet nga detyrat e tjera. Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.
Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.
Po ashtu, Neni 167 i Kushtetutës është një arsye tjetër se përse Bajram Begaj duhet të japë dorëheqjen para votimit në Kuvend.
Ky nen përcakton: “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe”.
Por, duke qenë se edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe gradën gjeneralmajor, Begaj e ka marrë me dekret nga Presidenti Meta, edhe dorëheqja e tij nga këto poste duhet të pranohet nga kreu i shtetit.
/abcnews.al