Ankesa për arsimin parauniversitar, Shahini: Pezullohet drejtoresha e Matit

schedule15:21 - 24 Janar, 2019

schedule 15:21 - 24 Janar, 2019

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka pezulluar nga detyra drejtoreshën e Zyrës Arsimore të Matit.  Vendimi vjen pas ankesave të qyetareve në portalin e bashkëqeverisjes me ta. Ndërkohë ministrja e Arsimit u shpreh dhe për riorganizim të zyrave arsimore.

Vëmendjen e mori protesta e studentëve, por dhjetorin që lamë pas ankesat nuk kanë munguar as për çështje që kanë të bëjnë me arsimin parauniversitar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Besa Shahini tregoi se punësimi i mësuesve pa respektuar portalin, transferimi i tyre apo punësimi i mësuesve ndihmës ishin shqetësimet kryesore që qyetarët kanë shprehur në “shqiperiaqeduam.al”. Rekord mban zyra arsimore e Matit.

“Ne e hapëm portalin për të parë sa ankesa ka pasur në zyrën arsimore në mat dhe kanë qenë 41 ankesa për vitin e kaluar. Për një zyrë të vogël që i shërben 30 shkollave dhe 600 mësuesve është shifër rekord ankesash”

Ministrja e Arsimit thotë se ka marrë masa.

“Dje është pezulluar drejtoresha e Zyrës Arsimore dhe ka filluar proces verifikimi i ankesave ndaj vendimeve të saj”.

Drejtoritë Arsimore Rajonale do të riorganziohen. Në rast shkeljesh drejtuesit e tyre do të zëvendësohen me të deleguar nga Tirana deri në emërimin e një tjetri.

Ndërkohë ministrja e Arsimit tregoi se po plotësohet udhëzimi për punësimin e mësuesve.

“Tri janë çështjet kryesore që po i adresojmë, e para ka të bëjë me emërimin e mësuesit ndihmës vetëm përmes portalit, prioritet kanë mësuesit që kanë arsimim te pedagogjia speciale dhe e dyta  te definimi i pikave të vlerësimit të dosjeve të kandidatëve për mësues. Do t’u japim përparësi kandidatëve që njohin gjuhë të huaj dhe kanë përparësi kandidatët që kanë dalë mirë në rezultatet e studimeve. E treta përfshirja e mësuesve të lëndëve të përgjithshme në shkollat profesionale”.

Ndërkohë Shahini tha se çdo vendim i marrë jashtë portalit “Mësues për Shqipërinë” do të konsiderohet i paligjshëm. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!