Erdogani i thotë “Stop” operacionit në Siri pas presionit rus dhe amerikan: Kurdët ikën

schedule15:53 - 23 Tetor, 2019

schedule 15:53 - 23 Tetor, 2019

Ankaraja konfirmoi tërheqjen e plotë të militantëve kurdë nga verilindja e Sirisë duke shtuar se tashmë nuk do të ketë më sulme të tjera ushtarake në zonë. Përgjatë lumit Eufrat është krijuar një zonë sigurie prej 440 kilometrash e gjatë.

Ministri i Brendshëm turk bëri të ditur se ka marrë konfirmimin nga Uashingtoni për tërheqjen e plotë të militantëve kurdë në përfundim të një armëpushimi i cili zgjati 120 orë. Forcat ushtarake ruse kanë kaluar nëpër lumin Eufrat për tu vendosur në kufirin mes Sirisë dhe Turqisë.

Kjo ishte parashikuar në marrëveshjen e arritur një ditë më parë mes presidentit rus Putin dhe atij turk Erdogan, gjë që u konfirmua dhe nga ministria ruse e mbrojtjes. Njësitë ruse të policisë ushtarake do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së popullsisë civile si dhe të ruajnë rendin dhe respektimin e ligjit.

Moska shtoi se ushtarët rusë do të patrullojnë zonat e caktuara dhe do të monitorojnë tërheqjen e militantëve kurdë dhe armatimeve të tyre deri në 30 kilometra larg kufirit mes Turqisë dhe Sirisë.

Në deklaratën e tij ministri turk i Mbrojtjes shtoi se nuk do të ketë sulme ushtarake kundër luftëtarëve kurdë në Siri, pasi tërheqja e tyre nga zonat kufitare konsiderohet i kompletuar, si dhe kishin konfirmuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tërheqja e militantëve kurdë, sipas Ankarasë, ka bërë të mundur krijimin e një zone sigurie në lindje të lumit Eufrat për një gjatësi prej 440 kilometrash përgjatë kufirit me Turqinë.

Regjimi i Damaskut nga ana e tij do të marrë kontrollin e veriut të vendit me bekimin e Moskës e cila qëndron në rolin e garantuesit për Ankaranë, për sa i përket lëvizjeve të presidentit sirian Bashar Al Asad.

Presidenti turk Erdogan deklaroi se do të marrë masat e duhura nëse nuk do të respektohen dy marrëveshjet e arritura me Uashingtonin dhe Moskën të cilat parashikojnë tërheqjen e militantëve kurdë nga verilindja e Sirisë.

Zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Peskov theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës tradhtuan kurdët, të cilët tashmë duhet të qëndrojnë larg kufirit turko-sirian sipas marrëveshjeve të arritura, në të kundërt do të shtypen nga makineria ushtarake turke. Peskov madje akuzoi SHBA se braktisën kurdët në kufi, gati për t’i detyruar që të luftonin me turqit.

Presidenti i Sirisë, Asad, i cili mbështet plotësisht marrëveshjen mes Putin dhe Erdogan u shpreh i gatshëm të dërgojë roje kufitare siriane për të patrulluar së bashku me rusët kufirin mes Sirisë dhe Turqisë./ABC News Albania

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!