Kryeministri Edi Rama pas vizitës në Turqi është zhvendosur në Athinë. Por a është ky një kurs i ri i Tiranës zyrtare? Në një bisedë me gazetaren Jonida Shehu në Radarin Informativ në “ABC”, Valbona Zeneli, drejtore e departamentit të iniciativave strategjike në qendrën evropiane të studimeve të sigurisë “George C. Marshall” u shpreh se të gjitha vizitat janë të rëndësishme. Por si e komenton Zeneli vizitën e Edi Ramës në Athinë, pas asaj në Turqi?
“Është absurde të mendohet se Shqipëria po ndërmjetëson në rregullimin e marrëdhënies mes Turqisë dhe Greqisë”. Do ishte diçka e keqe? “Nuk do të ishte asgjë e keqe, por Turqia dhe Greqia do të dinë ti zgjidhin vetë problemet e tyre” tha ajo.
“Cdo takim që organizohet mes liderëve, konkretisht mes kryeministrit shqiptar dhe atij grek është një hap i mirë drejt zgjidhjes së problemeve. Ne kemi marrëveshje në cdo fushë, por duhet të jemi seriozë, problemet zgjidhen me besim, respekt dhe kompromis.
Popujt tanë e duan miqësinë. Duhet ti kalojmë ngarkesat nacionaliste dhe incidentet sporadike që kanë ndodhur në të kaluarën. Transparenca është shumë e rëndësishme. Në Ballkan kapemi për politika dite, e përdorim për cështje të brendshme politike shumë cështje rajonale. Kjo krijon atë që ne krijojmë perde, përçarje në marrëdhëniet tona” tha ajo.
Zeneli kërkoi kujdes për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkan. “Rusia po nxit tensione politike dhe etnike në rajon dhe duke kultivuar një cinizëm për institucionet demokratike dhe euroatlantike. Përsa i përket Kinës, ka një qasje më të kamufluar, është aktor më i ri në rajon, por mund të jetë më domethënës dhe më i fortë, e shikon Ballkanin si platformë tregtare për të rritur ndikimin ekonomik dhe gjeopolitik” përfundoi ajo./ db/Abcnews.al