Bashkia Shkodër ka zhvilluar ditën e sotme ankandin për shitjen e 100 për qind të aksioneve të Vllaznia Sha. Në ankand morën pjesë tre subjekte, që Bashkia Shkodër në njoftimin e bërë nuk i bën me dije. Një prej atyre që kërkon të marrë klubin është edhe sponsori aktual, Alban Xhaferi.
Ai ka dorëzuar ofertën, sikurse edhe rivalët e tjerë, ndërkohë që Njësia e Ankandit do të kontrollojë gjatë këtyre ditëve dhe më 19 maj do të komunikojë rezultatet pas vlerësimit të dokumentacioneve ligjore dhe ofertave të bëra. Një javë më pas shpallet edhe fituesi i ankandit.
NJOFTIMI I BASHKISË SHKODËR – “Sapo ka përfunduar seanca parë e zhvillimit të procedurës “Shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%. Në këtë fazë ishin prezent të gjithë anëtaret e Njësisë së Ankandit dhe subjektet e interesuara personalisht ose me përfaqësues.
Dorëzimi i zarfeve të dokumentacionit të ofertuesve u administrua nga Sektori i Protokollit në Bashkinë Shkodër në zbatim të afatit të përcaktuar: Data 11.05.2021 ora 10.00.
Në këtë seancë Njësia e Ankandit hapi dhe lexoi ofertat, në përputhje me nenin 35 të ligjit “Për ankandin publik” dhe me përcaktimet në rregullat e ankandit publik si dhe, bëri administrimin e dokumentacionit të subjekteve ofertues pjesëmarrës.
Të gjitha veprimet u shënuan në procesverbalin përkatës të zhvillimit të ankandit ku u pasqyruan të gjitha dokumentet që shoqërojnë ofertën për secilin subjekt ofertues.
Në procedurën “Shitje me ankand të aksioneve të Klubit të Futbollit “Vllaznia” sh.a. në masën 100%”, morën pjesë 3 subjekte ofertuese.
Njësia e Ankandit vuri në dijeni përfaqësuesit e subjekteve ofertuese që më datë 19.05.2021, ora 10.00, do t’u komunikohet rezultati i vlerësimit të dokumentacionit ligjor dhe ofertës ekonomike”, shkruhet në njoftimin e bërë nga Bashkia Shkodër.