Anisa Ymeri në “Provokacija”: Si lindi ideja për themelimin e Qendrës së Librit për Fëmijë

schedule22:42 - 12 Maj, 2020

schedule 22:42 - 12 Maj, 2020

E pranishme mbrëmjen e kësaj të marte në studion e “Provokacija” përballë Mustafa Nanos ishte edhe gazetarja Anisa Ymeri.

Gazetarja ka themeluar një qendër të leximit të librave për fëmijë ku mund të gjendet çdo libër që është botuar në Shqipëri për fëmijët nga mosha zero deri në 14-vjeç.

E pyetur se nga i lindi ideja për t’i dedikuar një “dritare” fëmijëve në librari, Anisa Ymeri u shpreh se “shkëndijën” e parë e ka marrë nga një cikël leximesh që është bërë disa vite më parë tek Biblioteka Kombëtare.

Gazetarja tregon:

Gjithë jetës kam bërë gazetaren e kulturës dhe gjithë kohës kam parë problematika por edhe shkëndija të këndshme. E para shkëndijë ka qenë në Bibliotekën Kombëtare në kohën që Persida Asllani u bë drejtoreshë dhe nisi një cikël leximesh për fëmijë. Ishte kaq i bukur sa nuk di ç’të them.”

Ymeri tregon se në këtë cikël leximesh krijohej një atmosferë shumë e këndshme, fëmijët dëgjonin ndërsa një personazh, që mund të kishte lidhje me librin, lexonte.

Ndërsa, sa i përket iniciativës së saj për qendrën e leximit për fëmijë Anisa Ymeri tregon se e mori vendimin para dy vitesh dhe nisi ta vinte në jetë idenë tek biblioteka Hamit Beqaj ku interesi i fëmijëve dhe të rinjve nuk mungoi.

Gazetarja shprehet:

Para dy vitesh thashë se dua ta bëj këtë gjë në bibliotekat e Tiranës… Fillova ta bëja këtë çdo të shtunë në bibliotekën Hamit Beqaj në Njësinë numër tetë, aty vinin të paktën 20 fëmijë. Gjatë javës vinin fëmijë të kopshteve, vinin dhe nga lagje të tjera.Deri dhe nga Paskuqani më kanë ardhur aty.”

Sa i përket mënyrës së “hapjes së fjalës” gazetarja tregon se për këtë ka përdorur rrjetet sociale nga ku nënat informoheshin dhe mund të njoftonin dhe shoqe të tyret.

Anisa Ymeri tregon se për ta hapur qendrën iu deshën vetëm dy muaj dhe se është frymëzuar edhe nga  raste të tjera jashtë shtetit, si Franca.

Në qendrën e leximit për fëmijë, sipas Anisa Ymerit mund të gjendet “çdo libër që është botuar në Shqipëri nga mosha zero deri në moshën 14-vjeç dhe i gjithë cikli i librave të detyruar të gjimnazit. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!