Anglia shpëton nga mallkimi i penalltive

schedule08:30 - 4 Korrik, 2018

schedule 08:30 - 4 Korrik, 2018

Anglia u bë çerekfinalistja e fundit e Botërorit. Skuadra angleze mundi Kolumbinë pas gjuajtjes së penalltive, dhe do të ndeshet me Suedinë për një vend në çerekfinale.

Edhe çerekfinalistja e fundit u mësua. Ishte Anglia që kaloi tek 8 më të mirat e Kupës së Botës, veçse pas një drame të madhe, nga ato drama që zakonisht i ka humbur. U deshën gjuajtjet e penalltive për të eleminuar një Kolumbi, në letër inferiore, por tepër të guximshme dhe këmbëngulëse deri në fund.

Pikërisht 11-metërshat kishin qenë fatalë për anglezët për dekada me radhë, të eleminuar 6 herë nga 7 që i ka takuar për t’i gjuajtur në turnetë e mëdhenj, por këtë herë ishte ndryshe.

Shpikësit e futbollit luajtën më mirë në pjesën e parë, duke iu afruar disa herë golit. Ishin ata që kontrolluan ndeshjen, edhe pse Kolumbia u mbrojt me rregull. Ky ritëm vazhdoi edhe pas pushimit dhe Kane fitoi një 11-metërsh të merituar, të cilin e ktheu në gol po vetë.

Gjithsesi, pasi kaluan në avantazh të besuarit e trajnerit Southgate e ulën ritmin dhe amerikanolatinët u kthyen në ndeshje. Këmbëngulja e tyre dha rezultat në minutën e tretë shtesë, kur Yerri Mina i Barcelonës barazoi mrekullisht.

Edhe shtesat ishin me dy fytyra, në të parën më mirë Kolumbia. Anglezët deshën t’u shpëtonin 11-metërshave në 15 minutat e fundit shtesë, por nuk ia arritën edhe pse patën raste.

Në fund, gjithsesi, patën fat dhe nerva të forta dhe tani i pret Suedia në çerekfinale, një shans i mirë për të arritur në gjysmëfinale të Botërorit./abcnews.al