Anglia e Franca fitore të thella në eliminatoret e Evropianit

schedule13:59 - 26 Mars, 2019

schedule 13:59 - 26 Mars, 2019

Anglia e Franca arritën fitore të thella në eliminatoret e Evropianit, duke kryesuar bindshëm renditjen në grupet e tyre. Portugalia, ndërkaq, u ndal nga Serbia, ndërsa Kristiano Ronaldo u dëmtua.

Mund të quhet skuadra më e mirë e kontinentit në këtë moment (gjithnjë, nëse bie dakord Franca).

Anglia e trajnerit Garet Sauthgejt arritën një tjetër fitore të madhe, ia doli 5-1 në stadiumin e Podgoricës ndaj Malit të Zi vendas, edhe pse u ndodh në disavantazh shumë shpejt.

Marko Veshoviç kaloi vendasit në epërsi që në minutën e 17-të, por kjo shërbeu më shumë si zgjim për anglezët.

Majkëll Kin, Ros Barkli dy herë, Harri Kejn dhe Rahim Stërling ishin autorët e golave për “shpikësit e futbollit” që janë në krye të grupit eliminator A të Evropianit, me 6 pikë dhe me golaverazhin e madh 10-1.

Ndeshjen e parë, në “Uembli”, e fituan 5-0 ndaj Republikës Çeke.

Anglezët kryesojnë bindshëm ndaj kundërshtarëve si Bullgaria, Kosova, malazezët apo çekët.

Franca e pati fillimisht të vështirë, por pastaj ia mori dorën Islandës, duke e mundur 4-0.

Në “Stad dë Frans”, kampionët e botës ishin impresionues me golat e shënuar nga Samuel Ymtiti në 12’, Olivie Zhiru në 68’, Kilian Mbape në 78’ dhe Antuan Grizman në 84’.

Trajneri Didie Deshamp pati në fushë yje të shumtë, sepse përveç shënuesve, ishin edhe Joris, Varan, Pavar, Kante, Pogba e Matyidi, ndërsa në pjesën e dytë u aktivizuan edhe Kimpembe, Lemar e Sisoko.

Francezët janë në krye të grupit H, me 6 pikë në dy ndeshje, po aq sa Turqia.

Skuadra e trajnerit Shenol Gynesh, pas suksesit 2-0 në Shkodër, fitoi 4-0 ndaj Moldovës.

Në grupin B, Portugalia dhe Serbia u ndanë në barazim 1-1, në një ndeshje ku Kristiano Ronaldo doli i dëmtuar nga loja.

Ylli i Ajaksit, Dushan Tadiç, kaloi serbët në epërsi në “Estadio Da Luz” të Lisbonës, dhe kampionët e Evropës u duk se do të zhgënjenin sërish.

Ata shmangën të paktën humbjen, kur Uilliam Karvaljo barazoi shifrat pak para përfundimit të pjesës së parë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!