“Angazhim për rritjen e standardit të punonjësve të policisë”, Balla: Jepen 92 banesat e para me kredi me zero interes

schedule14:56 - 6 Dhjetor, 2023

schedule 14:56 - 6 Dhjetor, 2023

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete shpallën punonjësit e parë të Policisë së Shtetit, që përmbushin kriteret për të përfituar kredi me zero interes për banesë.

Balla theksoi se që prej ditës së parë në detyrë, ishte angazhuar për t’u kujdesur posaçërisht për rritjen e standardit të jetesës të punonjësve të policisë, por edhe përkrahjen e familjeve të dëshmorëve apo të rënëve në detyrë.

“Përmirësimin e kushteve të shërbimit të çdo punonjësi policie, që nga kushtet financiare deri tek kushtet e strehimit, kur shërbejnë jashtë vendbanimit apo krijojnë familje të reja, pa e harruar që nga sot sistemimin përfundimtar të të gjitha familjeve të policëve të vrarë në krye të detyrës, fëmijët e të cilëve janë fëmijë në përkujdesje të shtetit. Ju jeni përfituesit e parë të këtij programi, por ne shpresojmë që në vitin 2024 të mund të trajtojmë 300 familje të tjera, për ta përmbyllur në vitin 2025 nevojën për të 900 familjet e punonjësve të policisë”, nënvizoi ai.

Balla foli gjithashtu edhe për përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të policisë nga viti i ardhshëm, duke vënë në dukje se do të aplikohen edhe bonuset për ushqimin.

“Ashtu siç është bërë me dije dhe më herët, në korrik të vitit 2024 do të kemi dhe rritjen e pagave për të gjithë punonjësit e policisë. Nga ana tjetër është në proces miratimi Bonusi ushqimor për punonjësit e Policisë së Shtetit, që do të thotë trajtimi i tyre, nga fillimi i vitit të ardhshëm përmes një pakete të posaçme ushqimore,” – u shpreh Balla në ceremoninë ku ishin të pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku dhe Drejtori i Entit Kombëtar të Banesave, Stefan Çipa.

Programi qeveritar parashikon që deri në vitin 2025, të jenë të paktën 900 familje përfituese të punonjësve të policisë në nevojë për strehim. Për këtë vit, pas shqyrtimit të aplikimeve, u njoftuan 92 emra fitues, që plotësonin kriteret për të përfituar një kredi pa interes./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!