Anëtari i një grupi kriminal, arrestohet 21-vjeçari për kultivim të lëndëve narkotike në Vermosh

schedule13:59 - 29 Gusht, 2021

schedule 13:59 - 29 Gusht, 2021

Policia ka zbuluar një parcelë kanabisi në pyllin e Rrihnave në fshatin Vermosh të Malësisë në Madhe. Në pranga është vënë një 21-vjeçar pjesë e një grupi kriminal që merrej me kultivimin e lëndës narkotike. Ndërkohë vijon puna për kapjen e katër bashkëpunëtorëve të tij.

“Operacioni nga Komisariati i Policisë Malësia e Madhe në bashkëpunim me strukturat operacionale të DVP Shkodër. Kapet dhe vihet në pranga një prej anëtarëve të një grupi të strukturuar  kriminal  në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Në vijim të punës për kapjen e personave  të shpallur në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Malësi e Madhe në bashkëpunim me Seksionin Operacional të DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit: A.L., 21 vjeç, banues në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim , në formën e një grupi kriminal, pasi në vendin e quajtur pylli i Rrihnave, në fshatin Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, Malësi e Madhe, në faqen e malit në një zonë të pyllëzuar, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të territorit kanë evidentuar dhe asgjësuar një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike, ku dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas në bashkëpunim me katër shtetas të tjerë ku vijon puna intensive për identifikimin , kapjen dhe arrestimin e tyre.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”,  “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Moskallezim i krimit” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, njofton policia. m.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!