Anëtarësimi në NATO/ Orban fton kryeministrin suedez për bisedime

schedule12:40 - 23 Janar, 2024

schedule 12:40 - 23 Janar, 2024

Kryeministri hungarez Viktor Orban ka ftuar homologun e tij suedez të vizitojë Budapestin për bisedime që synojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi ratifikimin e kërkesës së Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO, një proces i vonuar nga Hungaria dhe Turqia.

“Sot i dërgova një letër kryeministrit Ulf Kristerson për të vizituar Hungarinë për negociatat për anëtarësimin e Suedisë në NATO”, shkroi Orban në platformën X.

Hungaria dhe Turqia, të vetmet vende që ende nuk e kanë ratifikuar kërkesën suedeze, por e kanë miratuar në parim, po vonojnë anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Shefi i tij i shtabit u ankua për qëndrimin e Suedisë javën e kaluar.

“Suedezët nuk kanë marrë asnjë masë për të ndërtuar një marrëdhënie miqësore” dhe për të fituar “besimin” e Hungarisë, tha Gergely Gulias, duke shprehur habinë e tij që anëtarësimi në NATO “nuk është një përparësi” për Stokholmin.

Suedia shpalli në maj 2022, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës, kandidaturën e saj për në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, e cila në prill u bë anëtarja e 31-të e aleancës Atlantike.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!