Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka pritur këtë të martë diplomatët shqiptarë të cilët i ka vlerësuar për punën e bërë për forcimin e pozicionit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Lidhur me këtë ambasadori Sokol Gjoka ka folur në “Tirana Live”, duke thënë se mesazhet e përcjella nga presidenti janë të rëndësishme, pasi objektiv është anëtarësimi në BE.
Ai theksoi se performanca e Shqipërisë në zhvillimet ndërkombëtare është rritur.
“Mesazhet e përcjella nga presidenti janë të rëndësishme, si çështja e anëtarësimit në BE, çështja e sigurisë së NATO-s dhe çështja rajonale, mbrojtja e pavarësisë së Kosovës. Këto janë çështje me rëndësi, por ajo që bie ndesh është që nuk ruhet kuadri ligjor që duhet të performojë diplomacia shqiptare. Kuadri bie ndesh dhe nga sa pash nga agjenda e “Diplo 2024” çështjet kryesore janë prekur. Është një gjë e mirë që zhvillohen takime me kuadrin diplomatik nëpër botë. Për ta është mirë të njihen me interesant e vendin tonë. Me thënë të drejtën për diplomatët e karrierës janë çështje të matura, por për këta të ardhurit është koha e duhur për njohur me këto çështje.
Roli dhe perfomanca e diplomacisë shqiptare në arenën ndërkombëtare është rritur, por dhe një shtytje që vendet ka marrë nga diplomacia shqiptare. Ndaj dhe Shqipëria ka marrë një rol proaktiv në këtë drejtim dhe duhet ruajtur ky temp”.
Lidhur me deklaratën e ministrit Igli Hasani, ku shumë shpejt do të vendoset një ligj i ri i Shërbimit të Jashtëm, i cili synon t’i japë një energji të re diplomacisë shqiptare, Gjoka u shpreh:
“Kemi një kundërvënie për mendimin tim, midis objektivave të politikave të jashtme shqiptare dhe realizimin e këtyre objektivave. Këto janë të parashikuar dhe në kuadrin ligjor. Tashmë është hedhur dhe projektligji, i cili ka mangësi të dukshme dhe është një zgjatesë e ligjit të mëpërparshëm duke dëmtuar mjaft karrierën e jashtme shqiptare dhe ky ligj aktualisht po e dëmton diplomacinë e karrierës duke krijuar klientelistë mbi baza partiake. Kështu një ligj i tillë i ndërtuar i shërben vetëm të sotmes, por dëmton sistemin që është bazuar diplomacia shqiptare dhe bën hapa mbrapa”./abcnews.al