Është ndoshta “armiku” ynë më i dashur. Andorra mbetet “tabela e preferuar e qitjes” për kombëtaren shqiptare, e cila ka një bilanc tepër pozitiv ndaj “liliputëve” të grupit tonë eliminator të Botërorit, e ndoshta kjo mund të jetë një arsye më shumë për të besuar tek fitorja e sotme.
Luhet për të siguruar plej ofin për të shkuar në Kupën e Botës, dhe një fitore atje është detyrim absolut, përtej asaj që Serbia mund të bëjë në Angli.
Kuqezinjtë kanë statistikat me 6 fitore, 1 barazim e vetëm 1 humbje, por që nga disfata 0-2 në 2002, kemi gjashtë rezultate të dobishme radhazi, ndër to 5 fitore.
Dueli I fundit ishte në “Arenën Air Albania” në 24 mars të këtij viti, një fitore 3-0, me dy gola nga Rej Manaj dhe një në fund nga Myrto Uzuni, në prani të mbi 17 000 spektatorëve.
Edhe kjo tregon se çfarë interesimi ka pasur për kombëtaren në këto eliminatore, e madje që në eliminatoret e Kampionatit Europian, kur Shqipëria siguroi biletën për të qenë në fazën finale në Gjermani vitin e kaluar.
Andorra ka qenë edhe si moment shpërthimi e reagimi për të fituar besimin e humbur, siç ndodhi në 25 mars 2019, menjëherë pas shkarkimit të trajnerit Panuçi, e kur në stol u ul provizorisht Ervin Bulku.
Sfida eliminatore e Europianit u fitua në “Estadi Nasional” në Andorra La Vela me shifrat 3-0, me rrjetat nga Sadiku, Balaj e Abrashi.
Gjithsesi, kemi pasur edhe mbrëmje të vështira, edhe pse me pikatore, dhe jo vetëm humbjen e pësuar mbi dy dekada më parë.
Nuk harrohet barazimi 2-2 në Elbasan, nën drejtimin e Edi Rejës, pak ditë pas inaugurimit të pafat të “Arenës Air Albania” me humbjen 0-2 ndaj Francës.

