Pritja ishte si e një ylli. Kështu kanë sfiluar një Maradona apo Kristiano Ronaldo, por e tillë ishte mbërritja e Karlo Ancelotit në Rio de Zhaneiro. Trajneri italian ishte përzgjedhur për t’u ulur në stolin e Brazilit, dhe tifozët ishin në qiellin e shtatë.
Gjithçka e kuptueshme. Për kombëtaren më të madhe në historinë e futbollit botëror, me pesë tituj në Kupat e Botës dhe me legjenda të së kaluarës si Pele, Garrinça, Ziko, Sokrates, Romario, Ronaldo apo Ronaldinjo, është caktuar një personalitet i stolit.
Federata Braziliane nuk harroi ta theksonte këtë në videon e përgatitur për ardhjen e Ancelotit, si trajneri rekordmen I trofeve në Champions, dhe si I vetmi që ka fituar të pesë ligat e mëdha të Europës.
Në moshën 65-vjeçare, tekniku u duk pak I lodhur në prezantim.
“Përshtypjet e para janë shumë të mira. Është një nder dhe krenari që të drejtosh kombëtaren më të mirë të botës. Përpara meje ndodhet një punë shumë e madhe. Mezi po pres që të punoj dhe që Brazili të kthehet dhe të jetë kampion.
Le të jemi së bashku për të bërë më të mirën. Më kanë pritur shumë mirë. Shpresoj shumë se do të bëjmë një punë shumë cilësore. Natyrisht, falenderoj Federatën që më deshi këtu, por edhe Realin që më dha mundësinë që të bisedoja me Federatën. Jam shumë I lumtur dhe jam gati të nis nga puna. Gjithsesi, sfida është shumë e madhe. Kam pasur gjithmonë një raport të veçantë me këtë vend. Pritja që më është bërë këto ditë ishte e shkëlqyer. Do të përpiqem të ndryshoj gjërat me një punë në nivel maksimal”.
Kontrata e Ancelotit me Federatën Braziliane të Futbollit është 14-mujore, por me të drejtë për rinovim pas Kupës së Botës.
Zyrtarisht, nuk jepen shifra financiare, por mediat raportojnë për 10 milionë euro rrogë në 14 muaj, dhe një shpërblim prej 5 milionë eurosh nëse fitohet Kupa e Botës në 2026./abcnews.al