ANALIZA/ Orban në Kiev, por çfarë kërkon kryeministri pro-rus në Ukrainë

schedule12:44 - 2 Korrik, 2024

schedule 12:44 - 2 Korrik, 2024

Kryeministri i Hungarisë mbërriti në Kiev, në një vizitë të papritur për bisedime me Zelensky, udhëtimi i parë i liderit më pro-rus të Europës në kryeqytetin ukrainas që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë.

Vizita e Viktor Orban, i cili ka qenë një kritik i hapur i ndihmës ushtarake dhe ekonomike perëndimore për Ukrainën, vjen një ditë pasi Hungaria mori presidencën e radhës të BE-së deri në fund të vitit, një shqetësim për shumë europianë, duke pasur parasysh konfliktet e shpeshta të vendit me Brukselin për çështje të brendshme që lidhen me sundimin e ligjit dhe politikën e jashtme.

“Bisedimet do të fokusohen në mundësitë e arritjes së paqes, si dhe në çështjet aktuale të marrëdhënieve dypalëshe hungarezo-ukrainaze,” tha zëdhënësi i Orban, Zoltan Kovacs.

Mediat ukrainase raportuan se autokolona e Orban kishte mbërritur në ambasadën hungareze në Kiev. Nuk është e qartë nëse të dy udhëheqësit do të mbajnë një konferencë për shtyp pas bisedimeve të tyre.

Hungaria ka qenë në mosmarrëveshje me vendet e tjera të NATO-s lidhur me zhvillimin e vazhdueshëm të lidhjeve të ngushta të Orban me Rusinë dhe refuzimin e tij për të dërguar armë në Ukrainë, me ministrin e jashtëm të Budapestit në maj që i quajti planet për ndihmë për vendin e shkatërruar nga lufta “mision i çmendur”.

Budapesti ka mbajtur kanale të hapura me Moskën dhe ministri i jashtëm i Orban ka bërë të paktën pesë udhëtime në Rusi që nga fillimi i luftës, së fundmi për të vizituar një forum ekonomik në Shën Petersburg muajin e kaluar.

Hungaria tha muajin e kaluar se nuk do të bllokonte vendimet e NATO-s për dërgimin e ndihmës në Ukrainëpër sa kohë që Budapesti nuk ishte i përfshirë.

Orban gjithashtu dha dritën jeshile për miratimin e Rutte si kreu i ardhshëm i NATO-s.

Një nga burimet e Budapest tha se plani i Orban për të vizituar Kievin erdhi pas negociatave të gjata mbi çështjen e të drejtave të pakicës hungareze të Ukrainës, e cila jeton në pjesën më perëndimore të Ukrainës, pranë kufirit midis dy vendeve.

“Kusht për takimin ishte zgjidhja e çështjes së të drejtave të qytetarisë. Javët e fundit u arrit një marrëveshje. Ata do të mund ta shpallin atë si një sukses”, sipas një burimi në Budapest.

Ndërsa të drejtat e nënshtetësisë kanë qenë një nga ankesat më të zëshme të Budapestit në lidhje me Ukrainën, kritikët e Orban e kanë akuzuar atë se e ka përdorur këtë çështje për të lehtësuar promovimin e pretendimeve ruse mbi konfliktin.

Zelensky dhe Orban kanë pasur disa herë përplasje që nga fillimi i pushtimit të plotë.

Orban e përfshiu Zelenskyn në një listë të “kundërshtarëve” që dyshohet se komplotuan kundër tij dhe mbështetën opozitën, ndërsa presidenti ukrainas fajësoi personalisht liderin hungarez për mungesën e mbështetjes për Kievin në ditët pas pushtimit të Rusisë.

Dy liderët u panë për herë të fundit në samitin e Këshillit Europian në Bruksel më 27 qershor.

/abcnews.al