Nga Juxhin Mustafaraj
Drejtuesit politikë kanë arsyetuar në raportin e tyre, faktorët që sipas tyre ndryshuan balancat politike dhe sollën humbjen e tyre në zgjedhje.
Angazhimi i administratës publike, përmes formularëve dhe patronazhimit të nëpunësve është një prej elementëve që gjendet në shumë prej raporteve analitike. Sipas drejtuesve politikë, certifikatat e legalizimeve ishin një instrument përmes së cilit u morën në këmbim votat e mijëra familjeve.
Për titullarët e PD në 12 qarqet të vendit personat me rekorde kriminale u përdorën nga Partia Socialiste për të kërcënuar familjet me probleme ekonomike, teksa shumë të tjerëve i janë shumë parash apo vende pune.
Në qarkun e Tiranës dhe Durrësit, drejtuesit politikë kanë shprehur si problematikën kryesore, përdorimin e fondeve të tërmetit nga qeveria, ku në disa raporte rezulton që në dy muajt e fundit para 25 prillit bashkitë lëvruan miliona lekë për familjet e prekura.
Në zonën e sigurt të listës së Tiranës, Lulzim Basha i besoi 5 vende aleatëve të tij.
Por 8 drejtuesit politikë të Tiranës në raportet që kanë dorëzuar në Partinë Demokratike shfaqin pakënaqësi për angazhimin e krerëve të partive aleate dhe angazhimin e tyre në zgjedhje. ABC ka lexuar disa prej këtyre raporteve ku krerët e partive aleate akuzohen se nuk dolën në terren për të kërkuar masivisht vota për listën e Partisë Demokratike, teksa një pjesë e tyre nuk e rakorduan aktivitetin politik me drejtuesit e PD.
Sipas raporteve të drejtuesve të PD, aleatët nuk justifikuan pozicionet e dhëna në listë nga Lulzim Basha. Rezerva të forta në raportet e analizës, drejtuesit politikë të PD japin edhe për funksionimin e koalicionit me LSI.
Disa drejtues kanë theksuar se refuzimi i LSI për të dalë me një listë të përbashkët me PD hodhi në erë mijëra vota dhe pamundësoi marrjen e mandateve.
Analiza për të 12 qarqet do të merret në shqyrtim në mbledhjen e kryesisë së PD që pritet të zhvillohet këtë të shtunë, mbledhje në të cilën do të shqyrtohen edhe ndryshimet statutore që do të miratohen në Kuvendin Kombëtar të PD që do të mbahet në 17 korrik./abcnews.al/