Futbolli gjerman është gati të riniset. Fillimi i majit pritet të rikthejë duelet e Bundesligës dhe Karl-Heinz Rummenigge sqaron dy shkaqet kryesore pse duhet të ndodhë. CEO i Bayern Munchen sqaron për Corriere dello Sport situatën e krijuar nga koronavirusi dhe e mbyll me bavarezët e tij, që ishin skuadra e parë gjermane që u rikthye në stërvitje.
“Është shumë e nevojshme që ndeshjet të rinisin përsëri. Dy janë motivet pse duhet të ndodhë. I pari lidhet me aspektin sportiv. Duhet shpallur një skuadër fituese, duhet dhënë titulli, duhen përcaktuar skuadrat që shkojnë në Evropë dhe ata që rrëzohen nga kategoria. Motivi i dytë, jo më pak i rëndësishëm, lidhet me aspektin ekonomik.
Të ardhurat nga të drejtat televizive kanë ndikim të fortë në të ardhurat e klubeve tona. Gjithsesi, para së gjithash duhet të kuptojmë se çfarë po ndodh me urgjencën shëndetësore. Po presim dritën jeshile nga qeveria. Disiplina dhe ndjeshmëria janë pikët tona më të forta. Bayerni? Po stërvitemi prej 3 ditësh në grupe me nga 4-5 lojtarë. Po respektojmë në maksimum protokollet shëndetësore. Stërvitja jonë zgjat 90 minuta”, përfundon Rummenigge. /abcnews.al