Agjencia e njohur franceze e lajmeve, AFP, i ka kushtuar një analizë të gjatë Kosovës, një muaj para se të festojë dhjetëvjetorin e pavarësisë. Në shkrimin me titull: “Re të zeza mbi Kosovën para dhjetë vjetorit të pavarësisë”, preken tema të ndryshme si vrasja e Ivanoviç, Gjykata Speciale dhe ekonomia e vendit.
“Vrasja e një politikani të shquar serb ka hedhur një re tjetër të errët mbi Kosovën ndërsa po përgatitet të shënojë 10 vjetorin e pavarësisë së saj”, kështu nis teksti i një analize të gjatë të AFP kushtuar Kosovës. Sipas agjencisë franceze të lajmeve, shpallja e njëanshme e pavarësisë më 2008-n, njihet nga më shumë se 110 shtete të botës.
“Por që Beogradi dhe mbi 120 pjesëtarë të minoritetit serb refuzojnë ta bëjnë këtë, afërisht 20 vjet pas luftës që la të vdekur 13 mijë persona, shumica prej tyre shqiptarë”, thekson agjencia prestigjoze.
AFP fokusohet tek ekzekutimi i 16 Janarit në Mitrovicën e Veriut, ku shkruan se 60-vjeçari, i cili shfaqej i moderuar në mesin e përfaqësuesve të komunitetit serb, kundërshtonte linjën e imponuar nga Beogradi ndaj serbëve të Kosovës.
“Kjo bëri që ai të ishte i urryer”, nënvizon AFP.
Gjithashtu citon analistin kosovar, Ramush Tahiri, i cili thotë se “ky krim, autorët e të cilit mbeten të pazbuluar, ka potencialin për destabilizimin e Kosovës”.
“Pasoja e parë e kësaj vrasje, është ndërprerja e dialogut mes përfaqësuese të Kosovës dhe Serbisë në afat të pacaktuar. I nisur në vitin 2013 me ndërmjetësimin e BE-së, ky proces i normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur për disa muaj. Sidoqoftë, shumë çështje mbeten ende për t’u zgjidhur, përfshirë statusin e komunave me shumicë serbe”, vijon agjencia franceze e lajmeve.
AFP, gjithashtu i kushton rëndësi edhe tentativës së dështuar për të shfuqizuar Gjykatën Speciale, e cila synon të gjykojë krimet e kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës kundër serbëve gjatë luftës së vitit 1998-1999.
“E themeluar me ligjet e Kosovës, por me vendndodhje në Hagë dhe me përmbajtje nga gjyqtarë të huaj, kjo gjykatë është gati të shpallë aktakuzat e para”, shkruan kjo media në analizë.
Presidenti, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli apo Daut Haradinaj – vëllai i kryeministrit, Ramush Haradinaj, mund të jenë ndër të akuzuarit e kësaj gjykate. Sipas AFP, kreu i shtetit të Kosovës mund të ndiqet penalisht për rrëmbimin dhe zhdukjen e rreth 500 civilëve, kryesisht të etnisë serbe.
“Vendosja në pikëpyetje e gjykatës do të ishte një shembull i tmerrshëm i mbizotërimit të interesave vetjake mbi të mirën e përbashkët dhe interesave të Kosovës si shtet”, ka thënë ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delaëie, që ka paralajmëruar se ajo mund të kishte pasoja të ashpëra.
Ndërsa për ekspertin e sigurisë, Lulzim Peci, në rast të shfuqizimit, Kosova “do të konsiderohej një shtet i ashpër, i pasigurt dhe që do të bashkohej me klasën e shteteve si Korea e Veriut dhe Irani”.
Gjithashtu, AFP shkruan edhe për ekonominë katastrofale të Kosovës. Sipas kësaj media, kjo lidhet me një shumicë të brishtë parlamentare dhe më rënien e mundshme të qeverisë së Ramush Haradinaj. 1 qytetar në 3 është i papunë në Kosovë, shkruan agjencia ndërkombëtare. Ndërsa shkalla e papunsisë arrin në 52%. AFP e mbyll shkrimin duke nënvizuar se paga mesatare është 363 euro dhe një e treta e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë./abcnews.al