Gjithnjë e më shumë kongresmenë amerikane po shprehin dyshime për mbështetjen ndaj Kievit ose e refuzojnë atë tërësisht. Kreu i Zyrës Presidenciale të Kievit, Andrij Jerman në një apel dramatik paralajmëroi, se Ukraina pa ndihmat amerikane do të humbasë luftën kundër Rusisë. Biden nga ana e tij ka theksuar se ndihmat për Ukrainën “janë fuqishëm në interesin tonë kombëtar dhe në interesin ndërkombëtar të të gjithë miqve tanë.” Po qe se bie Ukraina, presidenti Putin do të sulmojë shtete të tjera. Kur janë shtete të NATO-s, kjo do të çonte në atë që “ne nuk e synojmë dhe nuk e kemi sot: trupa amerikane që luftojnë kundër trupave ruse.”
Mbështetja lëkundet edhe në Europë
Edhe në Europë po lëkunder solidariteti me Ukrainën. Kryeministri hungarez, Viktor Orban kërkon që të vendosë veton në samitin e BE javën e ardhshme kundër 50 miliardë eurove të parashikuara për Kievin, ashtu si edhe kundër fillimit të bisedimeve të pranimit të Ukrainës në BE. Orban që vazhdon të mbajë kontakt me presidentin Putin përpiqet rregullisht të pengojë sanksionet e BE kundër Rusisë. Qeveria polake kërcënoi një kohë me kufizimin e ndihmave me armë për shkak të importeve të lira të drithërave nga Ukraina. Sllovakia pas fitores së populistit të majtë, Robert Fico ndali ndihmat ushtarake për Ukrainën. Sanksionet kundër Rusisë, dihet Fico nuk i mbështet, po ashtu edhe një anëtarësim të mëvonshëm të Ukrainës në NATO.
Politikani gjerman nga CDU për çështjet e mbrojtjes, Roderich Kiesewetter konstatoi që në tetor në një bisedë me DW për të gjithë perëndimin se “mbështetja për Ukrainën ka rënë ndërkohë, solidariteti po pëson krisje, janë shtuar zërat që kërkojnë një ‘paqe të diktuar’.” Kurse Roman Goncharenko nga Redaksia e Ukrainës të Deutsche Welles në një emision të DW u shpreh se “në Ukrainë ka zhgënjim, se perëndimi është lodhur.”
A është e mundur një fitore ushtarake e Ukrainës?
Kësaj i shtohet që Ukraina megjithë ndihmën ushtarake perëndimore rregullisht njofton për suksese të kufizuara, por nuk ka arritur ndonjë sukses të madh ushtarak deri tani. Portali ukrainas që trajton çështjet e luftës, “Deep State” ka përcaktuar se “vera tregoi, se lufta në vitin 2024 nuk do të përfundojë sipas kushteve tona”. Dhe me “kushtet tona” kihet parasysh rikthimi i plotë i të gjitha zonave të pushtuara, përfshirë edhe Krimenë.
Rregullisht presidenti Zelensky kërkon më shumë armë perëndimore si avionët luftarakë. Nga Gjermania ai kërkon avionët e tipi Taurus. Kancelari Scholz ka kohë që ka dërguar tanke luftarake në Ukrainë, por ai refuzon dërgimin e Taurus. Hezitimi i vazhdueshëm, ky është problemi, kritikon Kiesewetter. “Ofensiva e çlirimit pengohet nga vetë perëndimi, sepse furnizimet shkojnë me vonesë dhe janë shumë të pakta.”
Rusia shpreson në fitoren e Trumpit vitin e ardhshëm
Në Gjermani ka qëndrime të ndryshme në debatin, nëse furnizimet masive të Ukrainës do të përcaktojnë se në cilin drejtim do të shkojë lufta. Politologu, Johannes Varwick nga Universiteti Halle në lidhje me dërgimin e Taurus shprehet, se “natyrisht armë të tilla bëjnë dallimin (…) por nuk pres një ndryshim në konstelacionin strategjik.” Politikani i CEU, Kiesewetter nga ana e tij është i mendimit, se “superioriteti në ajër dhe armët e precizionit në distancë si Taurus në një sasi të mjaftueshme do të sillnin kthesën.”
Me gjasë Kremlini luan me kohën dhe shpreson në fitoren e Donald Trump në vitin 2024 në zgjedhjet presidenciale amerikane dhe fundin e mbështetjes amerikane. Sipas ekspertit Varwick “nuk është e mundur për nga dimensionet” që europianët të zëvendësonin ndihmën amerikane. “Nëse amerikanët heqin dorë nga mbështetja ose e reduktojnë në mënyrë masive atë, atëherë Ukraina ka një problem, që nuk mund të kompensohet nga europianët.”
Ukraina refuzon dhënien e tokës për paqen
Lodhja prej luftës ka krijuar presion tek politikanët në perëndim, që të kërkojnë përmes negociatave fundin e luftës. Sipas ekspertit Varwick kjo në një moment është e pamënjanueshme. Do të vjë momenti që të flitet për “ndryshime territoriale në Ukrainë, për neutralitetin e Ukrainës”. Kurse zgjidhja “tokë për paqe”, sipas Roman Goncharekos nga Deutsche Welle nuk ka shans të pranohet në Ukrainë. “Kanë ndodhur shumë gjëra, vuajtja është shumë e madhe. Ky do të ishte një shpërblim për Rusinë.”
Politikani i CDU, Roderich Kiesewetter vazhdon të besojë në një fitore ushtarake të Ukrainës përmes armëve perëndimore, prandaj strategjia duhet të jetë. “Të furnizohet me gjithçka, sa më shpejt të jetë e mundur. (…)Hezitimi kushton jetë, dhe rrit rrezikun që Rusia të fitojë dhe Ukraina të shpërbëhet. Kjo është edhe bashkëpërgjegjësia jonë.”/ DW
*Ky artikull i publikuar më 19.10 është i aktualizuar sërish- Shënimi i redaksisë së DW.