Sondazh

15 vite nga vrasjet në Bulevard, mendoni do ketë drejtësi për 21 janarin?

Loading ... Loading ...
 

Analiza/ A do të sjellin bisedimet Ukrainë-Rusi fundin e luftës?

schedule08:56 - 24 Janar, 2026

schedule 08:56 - 24 Janar, 2026

Për herë të parë nga viti i kaluar, Kievi dhe Moska kanë zhvilluar negociata të drejtpërdrejta. Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, palët u takuan në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të diskutuar planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës.  Raundi i parë i bisedimeve ka përfunduar, njoftoi zyra presidenciale ukrainase.

Takimi tre palësh u përqendrua në kushtet për përfundimin e luftës, u shpreh negociatori ukrainas Rustem Umerov, por nuk dha detaje. Kurse Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij me video në mbrëmja, tha se është shumë herët për të nxjerrë përfundime nga takimi në Abu Dhabi.

Negociatat kanë të bëjnë kryesisht me territoret, më saktësisht, me Donbasin – dhe çështjen se kush do ta kontrollojë këtë rajon industrial të Ukrainës lindore pas përfundimit të luftës. Rusia e ka pushtuar një pjesë të madhe aty ushtarakisht. Pjesa tjetër është me rëndësi të madhe për Ukrainën.



Moska po kërkon që Ukraina të tërhiqet nga pjesa e Donbasit që ende kontrollohet nga Kievi – dhe po e bën këtë një parakusht për bisedimet e paqes. Kievi refuzon tërheqjen vullnetare. “Çështja e Donbasit është një çështje kyçe”, theksoi Presidenti Volodymyr Zelensky para se të fillonin negociatat.

Për ushtrinë ukrainase, rajoni i Donjetskut në Donbas është strategjikisht i rëndësishëm për ndalimin e një avancimi rus. Lidhur me këtë administrata Trump ka propozuar demilitarizimin e rajonit dhe krijimin e një zone të tregtisë së lirë. Por Donbasi është shkatërruar kryesisht pas luftimeve të ashpra dhe të dyja palët po pretendojnë kontrollin.

Andreas Umland, politolog në Qendrën e Stokholmit për Studime të Evropës Lindore, i përshkruan bisedimet në Abu Dhabi si “teatër diplomatik”. Ai argumenton se gjatë gjithë vitit të kaluar, diskutimet kishin më pak të bënin me arritjen e një armëpushimi apo edhe paqeje, dhe më shumë me qëllimin për të fituar favorin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

“Kjo sepse SHBA-të potencialisht kanë fuqinë ose ta vazhdojnë ose ta përfundojnë luftën”. Umland vë në dyshim interesin e vërtetë të Rusisë për t’i dhënë fund luftës.

Aktualisht në Ukrainë, miliona njerëz janë pa energji elektrike. Në kryeqytetin Kiyv, 4,000 ndërtesa mbeten pa ngrohje pasi ushtria ruse sulmoi përsëri infrastrukturën energjetike të vendit të martën në mbrëmje.

Temperaturat në Kiyv aktualisht janë rreth minus dymbëdhjetë gradë Celsius. Shumë njerëz po jetojnë në apartamente të ftohta për javë të tëra me vetëm disa orë energji elektrike në ditë.

BE njoftoi se do të dërgonte 447 gjeneratorë shtesë emergjence në Ukrainë. Veprimet e Rusisë po i privonin “qëllimisht” civilët nga ngrohja, drita dhe nevojat themelore në mes të një dimri të ashpër, tha Komisionerja e BE-së për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib./DW/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!