Analisti nga Shkupi, Blerim Hyseni në një intervistë për emisionin “Ballkan Update” tha se presidenti serb Aleksandër Vuçiç po përpiqet që të krijojë strategji për të shmangur marrëveshjen e dakordësuar në Ohër dhe për t’ia lënë më pas fajin palës shqiptare në Kosovë.
Ai shtoi se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më këmbëngulës për të imponuar palët dhe për të zbatuar marrëveshjen përndryshe sipas tij, Serbia do të tentojë ta drejtojë fajin drejt Kosovës.
“Mendoj se Vuçiç nuk di se nga t’ja mbajë pas marrëveshjes së Ohrit të panënshkruar por të dakordësuar. Mendoj se Vuçiç nuk po arrin të gjejë strategjinë se si të fajësojë shqiptarët dhe t’u mbetet faji për mosimplementim të ndonjë marrëveshjeje të dakorduar ndërmjet tij dhe Kurtit.
Në këtë mes më habit faktori ndërkombëtar që është një shikues pasiv sa i takon zhvillimeve politike dhe zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.Edhe fakti që ka ftuar serbët e Kosovës në Beograd, tregon se po harton një strategji drejt fillimit të zbatimit të marrëveshjes ndërmjet tij dhe Kurtit.
Megjithatë nuk është kaq lehtë sa për momentin pasi problemet janë duke u thelluar. Mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të jetë më këmbëngulës në drejtim të imponimit të palëve dhe zbatimit të kësaj marrëveshjeje përndryshe nga ana e Serbisë do të tentohet që fajtori të kërkohet tek shqiptarët.
Faktori duhet të jetë më i vendosur në drejtim të fillimit të zbatimit të marrëveshjes përndryshe Kosova ka të drejtën e saj të organizojë zgjedhjet në veri ashtu siç nuk ka të drejtë Serbia të pengojë këto zgjedhje.”, u shpreh mes të tjerash ai gjatë intervistës për “Ballkan Update”.
Më tej, analisti shtoi se me marrëveshjen e dakordësuar në Ohër, Vuçiç ka pranuar që serbët në Kosovë të quhen pakicë kombëtare.
“Një Republikë Srpska në Kosovë është e paarritshme dhe një përgjigje të saktë kësaj çështjeje i ka dhënë edhe SHBA. Personalisht mendoj se SHBA në drejtim të ecjes dhe vijave të kuqe që i vendosin zhvillimeve politike në rajon. Mendoj se një asociacion do të themelohet. Mbetet të shihet çfarë do të jetë.”
“Mendoj se një asociacion do të jetë një organizëm që do të plotësojë ambiciet e pakicës serbe për shkak se me marrëveshjen e fundit Vuçiç ka pranuar që serbët në Kosovë të quhen pakicë kombëtare. Dhe tanimë nuk mund të flasë për një territor që është i shkëputur nga Serbia por si një palë e barabartë ndërmjet dy shteteve.”, shtoi ai. /abcnews.al