Analistët në Kosovë vlerësojnë lojën ndaj Anglisë

schedule17:10 - 11 Shtator, 2019

schedule 17:10 - 11 Shtator, 2019

Kosova mbrëmë ka pësuar humbje 5:3 në ndeshjen ndaj Anglisë. Megjithatë kjo ndeshje është cilësuar historike dhe lojtarët e Kosovës kanë marrë lëvdata për paraqitjen e mirë kundër Anglisë.

Djemtë e Kosovës e nisën furishëm ndeshjen e mbrëmshme ndaj Anglisë. Që në sekondën e 34-t Valon Berisha shënoi gol, mirëpo Anglia u rikthye furishëm shënuar 4 gola që në pjesën e parë si dhe një autogol për të përfunduar pjesa e parë me rezultat 5 me 1.

Në pjesën e dytë Kosova shënoi dy gola ndaj Anglisë ndërsa nuk e pranoi asnjë. 5 me 3 për Anglinë ishte rezultati i ndeshjes. Trajneri kosovar i futbollit Bylbyl Sokoli thotë se Kosova është prezantuar denjësisht në ndeshjen e mbrëmshme.

“Një lojë pa respekt të madh ndaj kundërshtarit. Një presing të madh të cilët e kanë prit anglezët, përkundër asaj që të gjithë ekipet e tjera kanë bërë ndaj Anglisë. Janë mbrojtur dhe të gjithë ekipet kanë pësuar 4 ose 5 gola. Kosova ka vendosur të mbrohet larg portës”, tha ai.

Me tre golat e shënuar ndaj anglezëve si mysafirë, sipas gazetarit të sportit Florim Maliqaj, “Dardanët” hynë në listën e pak ekipeve që kanë arritur të shënojnë më shumë se tri gola ndaj kësaj kombëtareje.

“E kam pritur një humbje, por nuk kam pritur një paraqitje kaq sulmuese, kaq agresive të Kosovës. Në vitin 2007 ka qenë Kroacia që i ka shënuar 3 gola skuadrës angleze”, tha ai.

Sot nuk ka munguar as urimi i ambasadës amerikane të Kosovës rreth kësaj ndeshje sipas së cilës Kosova ka dëshmuar se është e gatshme për liga të mëdha. Humbja nga Anglia e ka zbritur Kosovën në pozitën e tretë të grupit, pasi që Çekia ka fituar ndaj Malit të Zi. Megjithatë gjasat e Kosovës për t’u kualifikuar në Euro 2020 janë të mëdha.

Kosova deri kishte 15 ndeshje pa asnjë humbje. Ndeshjen e radhës “Dardanët” do ta ketë me Malin e Zi më 14 tetor këtu në Prishtinë, një muaj më pas me Çekinë në Pragë dhe menjëherë pas tri ditësh me Anglinë në Prishtinë./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!