Në prag të vitit të ri, qeveria do të miratojë amnistinë penale, nga e cila do të përfitojnë 7% e 5000 personave të cilët ndodhen aktualisht në burgje.
Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari zbuloi kategoritë që do të përfshijë me në krye të mitur, gra dhe persona të dënuar për vepra me rrezikshmëri të ulët shoqërore.
“Nga zbatimi i kësaj amnistie në vlerësimet paraprake të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, rreth 380 persona do të përfitojnë lirim të menjëhershëm; dhe rreth 900 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, ndërsa numri real i përfituesve është edhe më i lartë, duke përfshirë ata që përfitojnë nga pushimi i ndjekjes penale si dhe masat alternative.”
Nga amnistia do të përjashtohen personat që kanë qenë subjekt i hetimit dhe gjykimit nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme.
“Sigurisht që nga kjo amnisti nuk mund të përfitojnë ata që kanë kryer krime të rënda, korrupsion apo vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kurrsesi jo subjekte që janë hetuar nga SPAK dhe gjykuar nga GJKKO. Nuk ka amnisti selektive dhe as favorizime, por kritere ligjore të qarta dhe transparente. Kush e sheh amnistinë si dobësi, ngatërron ndëshkimin me drejtësinë.”
Ministri Lamallari rendit mbipopullimin në burgje si një ndër arsyet kryesore të kësaj amnistie, ku pjesa më e madhe qëndron në paraburgim. Një shqetësim ky i artikuluar më herët edhe nga kryeministri Rama dhe Keshilli I Europes si shkelje e të drejtave të njeriut.
“Sot, për fat të keq, në sistemin e burgjeve ndodhen rreth 5 mijë persona, nga të cilët një pjesë e konsiderueshme, konkretisht më shumë se gjysma e tyre janë të paraburgosur. Kjo situatë kërkon ndërhyrje të përgjegjshme dhe të mejëhershme, në përputhje me standardet dhe praktikat më të mira evropiane. Paraburgimi i tepruar është një shqetësim persistent në sistemin tonë penitenciar, shqetësim i ngritur në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Europës si dhe nga partnerët tane europiane. Mbipopullimi në burgje nuk është forcë e shtetit, është dobësi e sistemit.”
Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, nisma do të nisë shqyrtimin në parlament në janar, kur nis dhe sesioni i ri. Për miratimin e saj nevojiten 84 vota. /abcnews.al


