Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi ka treguar në “Abc Live” se pse Amnistia Fiskale do të sjellë probleme për Shqipërinë, duke u shprehur kundër draftit të propozuar. Ai tha se me miratimin e projektligjit, shteti rrezikon një rënie fiskale dhe nuk pritet të ketë zhvillime pozitive.
“Nëse i hedhim një sy draftit, ekziston rreziku që ne të pranojmë përmes amnistisë në një farë mënyre një rënie fiskalisht të shtetit. Pranojmë një rihapje të kartave nga fillimi që nuk gëzon besimin që mund të çojë në një zhvillim pozitiv. Pa një procedurë të qartë nuk mund të ketë sukses amnistia”, tha Preçi.
Lidhur me lehtësimet që mund të krijojë për emigrantët amnistia, Preçi tha se e gjitha është një mbulesë mediatike dhe se nëse ata kanë pasur para, i kanë dërguar në Shqiëpri në kufirin maksimal të lejuar prej 10 mijë eurosh.
“Duhet pranuar që mbulesa formale pubilke mediatike është thjesht një koperturë se në pjesën më të madhe emigrantët mezi sigurojnë jetesën. Kjo pjesë ka ardhur duke u pakësuar, në shumicën e rasteve janë legjitimuar. Në 4-5 vitet e fundit, shqetësimet që ka krijuar emigracioni masiv, vetëm pjesa e e legjitmuar qëndron në vendet perëndimore. Nuk ekziston shqetësimi që shqiptarët nuk kanë ku t’i çojnë kursimet e veta. Nëse kanë pasur, i kanë dërguar në Shqipëri. Për sa kohë Shqipëria s’ka asnjë marrëveshje me vendet e tjera veç kalimit në banka, është pa kuptim të bëhet amnistia”, tha ai.
Më tej, Preci e quajti të rrezikshëm ndërmarrjen e një hapi të tillë dhe tha se do të legjitimojë aktivitetet e paligjshme, ndërsa nuk do të ketë shpresë për një rritje të ekonomisë.
“Është shumë e rrezikshme të ndërmarrësh një hap të tillë sepse vendi do të braktiset nga investitorët, do legjitimohen aktivitete kriminale dhe do ketë humbje të shpresës për rritje të ekonomisë brenda vendit. Nuk ka problem Shqiqëpria për t’i vendosur paratë diku”, u shpreh Preçi.
I pyetur nëse amnistia miratohet dhe do të jetë një shtysë për emigrantët që të investojnë në vendin e tyre, Preçi tha se nuk ka pengesa për ata që kanë para të ligjshme, që t’i kthejnë në investime.
Ai vuri në dukje se qarkullimi i parasë rregullohet duke rregulluar klimën e biznesit dhe theksoi se nëse drafti kalon, Shqipëria do të kthehet në një parajsë të evazionit fiskal.
“Qarkullimi i parasë rregullohet duke rregulluar klimën e biznesit. Në qoftë se ky draft shkon deri në fund, nuk do shtojë para në buxhet, po do ta kthejë Shqipërinë në parajsë fiskale për evazionistët. Kjo do të thotë që edhe marrëdhëniet me BE dhe institucionet e tjera ndërkombëtare do të rishihen në këtë optikë. Nuk besoj se qeveria mund të luajë me zjarin në këtë nivel. Mjafton të kujtojmë OFL, që nisi me bujë të madhe. Me përjashtim të disa makinave të përdorura që i dorëzuan vetë, ata siguruan që pasuritë t’i kthejnë në të ligjshme dhe janë të mbrojtur nga sekuestrimi. Ne kemi nevojë të rregullojmë funksionimin e shtetit dhe jo të krijojmë dritare për paratë ilegale që të hyjnë në ekonomi. Ne kemi nevojë të kemi shtetin funksional. Ndryshe rrezikojmë të shkojmë nga kriza në krizë. Kriza kërkon përdormin e mjeteve legale”, përfundoi Preçi. /abcnews.al