Amnistia fiskale, reagon Presidenti Meta: Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë

schedule14:51 - 6 Korrik, 2022

schedule 14:51 - 6 Korrik, 2022

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka reaguar lidhur me projektligjin për amnistinë fiskale. Të gjithë shtetasit shqiptarë dhe kompanitë që operojnë në vend do të kenë të drejtë të deklarojnë pasurinë e tyre pa provuar burimet se si e kanë siguruar.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka përgatitur projektligjin “për Amnistinë Fiskale”, i cili lejon që një individ së bashku me familjarët e tij të ketë mundësi të legalizojë pasuri me vlerë deri në 2 milionë euro.

Presidenti Meta i është bashkuar reagimeve të ekspertëve vendas dhe të huaj të cilët e kundërshtojnë këtë projektligj. Meta ka bërë thirrje që të hiqet dorë nga kjo përpjekje, pasi sipas tij qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme.

Postimi i plotë: 

Kam ndjekur me shumë vëmendje reagimet e shumta nga ekspertë vendas dhe të huaj, si dhe paralajmërimin zyrtar të Bashkimit Europian, mbi projektligjin për amnistinë fiskale dhe penale.
Ndër argumentet e bazuara kundër kësaj nisme të Qeverisë, paralajmërohet se përmes këtij ligji:
? – Do të favorizohej qartësisht bota e krimit, duke ofruar mundësinë që të ardhurat e përftuara ndër vite prej aktivitetit kriminal nga grupe të organizuara apo individë të pushtojnë ekonominë vendase, dhe veçanërisht tregun financiar, në mënyrë të ligjshme;
? – Do të goditej drejtpërdrejt dhe dëmtohej biznesi i ndershëm dhe iniciativa e lirë vendase;
? – Do të dekurajoheshin edhe më tej investimet e huaja serioze në Shqipëri;
? – Do të kriminalizohej e gjithë ekonomia, dhe si pasojë edhe gjithë shoqëria shqiptare, duke ekspozuar vendin si destinacion që favorizon veprimtarinë e organizatave dhe grupeve kriminale mafioze ndërkombëtare;
? – Do të minohej edhe më tej besimi i shoqërisë tek shteti i së drejtës, tek institucionet, tek barazia përpara ligjit, dhe do të nxitej edhe më shumë ekonomia informale;
? – Do të inkurajohej perceptimi i gabuar dhe shumë i rrezikshëm se çdo veprimtari kriminale dhe produkt i saj do të amistohet gjithmonë në të ardhmen;
? – Do të sillte si pasojë rritjen kriminalitetit të rrugës;
? – Do të minoheshin përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar, që sipas raporteve të agjencive të specializuara, tashmë e ka kthyer Shqipërinë në bazë operacionale;
? – Do të dobësohej angazhimi dhe efikasiteti i të gjitha strukturave dhe mekanizmave shtetërorë që luftojnë pastrimin e parave dhe produkteve të veprave penale;
? – Do të dëmtohej bashkëpunimi me vendet partnere, dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian;
? – Do të kompromentohej rëndë imazhi i Shqipërisë si anëtare e NATO, dhe do të cënohej imazhi i panjollë i të gjithë shqiptarëve të ndershëm;
I mbështes plotësisht të gjitha këto shqetësime të argumentuara që ngrenë alarmin mbi nismën e fundit të Qeverisë, dhe që janë shprehur edhe më herët përmes Rezolutës së Parlamentit Europian së datës 19 maj 2022.
Shpërfillja e papërgjegjshme e Qeverisë ndaj tyre është e papranueshme dhe e patolerueshme. Kushdo që mendon se do të kompromentojë shqiptarët e ndershëm si bashkautorë në krim e ka gabim. Bëj thirrje të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bashkimit Europian, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar. Qeveria shqiptare ka për detyrë të krijojë kushtet dhe të stimulojë zhvillimin e vendit përmes punës së ndershme, konkurrencës së lirë dhe mundësive të barabarta, dhe jo ta shpallë krimin si modelin e suksesit në jetë.
/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!