PRISHTINË- Votuesit amerikanë vendosin sot mes kthimit të republikanit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë dhe ngritjes së demokrates Kamala Harris nga posti i nënpresidentes në atë të presidentes së vendit, pas një fushatë presidenciale intensive të shoqëruar me polemika dhe një gjuhë të ashpër.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, i ftuar në “Ballkan Update” u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nvojë për një president që do t’i ruajë vlerat e kombit amerikan dhe të kontribuojë në ruajtjen e stabilitetit.
“SHBA kanë nevojë për një president, që do t’i mbrojë vlerat e kombit amerikan dhe përkushtimin e tyre ndaj demokracisë. Zgjedhjet kanë ndikim në stabilitetin ekonomik në botë.”, tha ai.
Ai theksoi se SHBA ka treguar se është një shtet mik dhe aleat i kombit shqiptar. Sipas Hisenit, SHBA ka patur rol përcaktues në fatin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Ne e dimë që SHBA ka pasur rol përcaktues për Kosovën. SHBA është partnere strategjike e Kosovës”, tha ai./ abcnews.al