Pak orë pas njoftimit të Microsoft për asgjësimin e sulmeve kibernetike ruse, Uashingtoni ka bërë me dije se ka vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë. Këtë herë administrata amerikane ka penalizuar dy kompani me bazë në Shën Pietërburg dhe Sllovaki.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të martën sanksione të reja ndaj Rusisë. Këtë herë, Uashingtoni zyrtar ka ndëshkuar dy subjekte që ndihmonin një kompani ruse të teknologjisë t’u shmangej sanksioneve të mëparshme.
Përmes një deklarate për shtyp, Departamenti i Thesarit ka bërë me dije se subjektet e sanksionuara janë “Vela Marine”, me bazë në Shën Pietërburg dhe “Lacno”, me bazë në Sllovaki. Sipas njoftimit, këto grupe kanë ndihmuar kompaninë “Dive Techno Services”, e penalizuar në Qershor nga administrata amerikane për shitjen e pajisjeve teknologjike nënujore tek agjencitë ruse të inteligjencës, përfshirë FSB-në.
Në Dhjetor të 2016-s ishte presidenti Barack Obama që sanksionoi FSB-në për shkak të ndërhyrjeve kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale. Lajmi për vendosjen e masave të reja vjen pak orë pasi Microsoft njoftoi se kishte shmangur një seri sulmesh informatike nga Rusia, që kishin si qëllim vjedhjen e informacioneve të subjekteve dhe institucioneve politike, përfshirë këtu Senatin amerikan.
Po të martën, Britania e Madhe u ka përsëritur aleatëve europianë apelin për të marrë masa më agresive ndaj Rusisë, për shkak të aktiviteteve kibernetike dashakeqe./abcnews.al