Amerika kthehet 50 vite pas? Gjykata e Lartë mund të rrëzojë ligjin që lejon abortin

schedule21:08 - 3 Maj, 2022

schedule 21:08 - 3 Maj, 2022

Amerika është tronditur nga një draft të publikuar nga Politico sipas të cilit Gjykata e Lartë ka votuar rrëzimin e ligjit të abortit.

Gjykata e Lartë e SHBA-së ka votuar përkohësisht për të rrëzuar çështjen “Roe v Wade”, vendimin historik që legalizoi abortin në mbarë Amerikën, sipas një draft opinioni të publikuar nga Politico.

Lajmi është konfirmuar nga gjyqtari lartë John Roberts, i cili tha se drafti që sugjeron se Gjykata e Lartë do të rrëzojë ligjin historik  për të legalizuar abortin është autentik.

Në draft dokumentin e shkruar nga gjyqtari Samuel Alito, gjykata thotë se vendimi historik Roe kundër Wade në 1973 ishte “jashtëzakonisht i gabuar që në fillim”.

Drafti paralajmëron kthimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjendjen që ishte 50 vjet më parë, kur çdo shtet ishte i lirë të vendoste nëse do të lejonte ose ndalonte abortet dhe në çfarë kushtesh, shkruan Reuters.

Në lidhje me këtë presidenti amerikan Joe Biden i bëri thirrje Kongresit të miratojë legjislacionin për kodifikimin e të drejtave të abortit.

“Ajo që më shqetëson më shumë është ajo, se ne do të vendosim pas 50 vjetësh që një grua nuk ka të drejtë të zgjedhë brenda kufijve të një vendimi të Gjykatës së Lartë… Kjo do të thotë se çdo vendim tjetër i marrë në nocionin e privatësisë vihet në pikëpyetje. Kjo shkon tek të drejtat e tjera themelore: e drejta për martesë, e drejta për të përcaktuar një sërë gjërash, sepse një nga çështjet që kjo gjykatë dhe shumë anëtarë të gjykatës, apo një numër anëtarësh të gjykatës, nuk e kanë pranuar, është se ka një të drejtë për privatësi në Kushtetutën tonë. Është një ndryshim thelbësor në jurisprudencën amerikane”, tha Biden.

Nëse vendimi përfundimtar nxirret sipas draftit të Alitos, miliona grave amerikane mund t’u hiqet një e drejtë themelore, të cilën shumë e kanë njohur gjatë gjithë jetës së tyre./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!