Amerika është rikthyer, por Evropa ka ndryshuar qasje

schedule17:56 - 25 Shkurt, 2021

schedule 17:56 - 25 Shkurt, 2021

Nga William A. Galston, The Wall Street Journal

Presidenti amerikan Joe Biden, vendosi që të shpallë një rikthim triumfues të SHBA-së në aleancën trans-atlantike. “Amerika është rikthyer!”- deklaroi presidenti në fjalën e tij këtë javë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë, nxituan ta bënin të qartë se 4 vitet e presidencës Trump i kishin ndryshuar shumë marrëdhëniet. Presidenti francez Emmanuel Macron, e  ripërsëriti thirrjen e tij për “autonominë strategjike” të Evropës, që kërkon nga kontinenti të jetë i përgatitur qëtë mbrojë veten.

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel e deklaroi troç se interesat e SHBA-së dhe Evropës nuk do të përputhen gjithmonë, gjë që shumica e dëgjuesve e morën si një referencë ndaj marrëveshjes së fundit të tregtisë mes Bashkimit Evropian dhe Kinës, së bashku me vendosmërinë e Gjermanisë për të përfunduar ndërtimin e gazsjellësit rus “Nord Stream 2”. Shtetet e Bashkuara mund të rikthehen në aleancë, por ajo nuk mund të presë që të rimarrë vendin e saj të vjetër në krye të tryezës.

Thelbi i përgjigjes së prerë ndaj fjalimit të zotit Biden, është ajo që Këshilli Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme e quan një “ndryshim të madh masiv” në opinionin publik evropian përkundrejt SHBA-së. Sondazhi më i fundit i ECFR zbulon se:“Shumica e qytetarëve në vendet kryesore anëtare të BE-së, mendojnë tani se sistemi politik i SHBA-së është jofunksional, dhe se Kina do të jetë më e fuqishme se SHBA-ja në aspektin ekonomik brenda një dekade, si dhe që evropianët nuk mund të mbështeten më tek SHBA-ja për mbrojtjen e tyre”.

Këto besime, po nxisin ndryshime thelbësore në preferencat e politikës evropiane. “Një numër i madh qytetarësh, mendojnë se evropianët duhet të investojnë në mbrojtjen e tyre”vërejti sondazhi, “dhe të shohin Berlinin dhe jo Uashington si partnerin e tyre më të rëndësishëm. Ata duan që BE-jatë jetë më e ashpër me SHBA-në mbi çështjet ekonomike. Dhe, në vend se të rreshtohen me Uashingtonin, ata duan që vendet e tyre të qëndrojnë neutrale në rastin e një konflikti midis SHBA-së me Rusinë apo Kinën” – një qëndrim ky që mbështetet nga të paktën gjysma e elektoratit në secilin prej 11 vendeve ku u krye sondazhi.

Në çdo vend përveç Polonisë dhe Hungarisë, shumica ranë dakord me deklaratën se pasi votuan për Donald Trump në vitin 2016, popullit amerikan nuk mund t’i besohet më. Për dekada evropianët besonin se politika amerikane do të luhatej brenda kufijve të përcaktuar që sigurojnë besueshmërinë tonë.

Zgjedhja e Trump e minoi këtë besim, dhe fitorja e Biden nuk e rivendosi atë. Revolta kundër elitave në të dyja partitë kryesore politike amerikane nuk po shuhet, dhe një ditë populistët mund të rikthehen në pushtet. Problemi shtrihet më thellë sesa thjesht shkatërrimi i “gardheve” politike.

60 për qind e evropianëve besojnë, se sistemi politik i SHBA-së është “thyer”. Kjo shifër përfshin 66 për qind të francezëve, 71 për qind të gjermanëve, dhe81 për qind të të anketuarve në Britani. Në një sistem të tillë, rezultatet më të mundshme janë ngërçi dhe një ndryshim në qasjen e këtyre të fundit.

Në sytë e Evropës, rënia e Amerikës përkon me rritjen e Kinës. 59 për qind e evropianëve – përfshirë 56 për qind të gjermanëve, 58 për qind të britanikëve dhe 62 për qind të francezëve – besojnë se brenda 10 vjetësh, Kina do të tejkalojë SHBA-në si fuqia kryesore e botës.

Këto të dhëna ndihmojnë për të shpjeguar arsyen pse në rastin e një mosmarrëveshje midis SHBA-së dhe Kinës, 60 për qind e evropianëve besojnë se vendi i tyre duhet qëtë mbetet neutral, krahasuar me 22 për qind që thonë se duhet të marrin anën e Amerikës.

I njëjti qëndrim vërehet edhe ndaj kërcënimit që vjen nga Rusia. Në tensionit midis SHBA-së dhe Rusisë -që ka aneksuar Krimesë dhe kërcënon integritetin territorial të Ukrainës – 59 për qind preferojnë neutralitetin, ndërsa 23 për qind duan rreshtimin me Amerikën.

Çuditërisht, polakët – populli më anti-rus në Evropë – zgjedhin neutralitetin ndaj rreshtimit me SHBA-në, në normën 45 deri 36 për qind. Ndërsa po shtohen perceptimet e dobësisë së Amerikës, më shumë evropianë kanë filluar të jenë në favor të një qasje me të ashpër ndaj SHBA-së për çështjet ekonomike.

Këta evropianë i rezistojnë presionit amerikan për t’u distancuar nga Kina, të cilën ata e konsiderojnë si një partner të rëndësishëm tregtar, dhe nuk do të nxitojnë që të ri-negociojnë marrëdhëniet e tyre tregtare me SHBA-në. Pra “Amerika e Para” ka shkaktuar një reagim të tipit“Evropa e Para”.

Dobësimi i Amerikës, ka forcuar perceptimet e evropianëve mbi rëndësinë e Gjermanisë.

Shumica në vendet e anketuara e konsideruan Gjermaninë si fuqinë më të rëndësishme. Gjermania – prej kohësh mbrojtësja më e vendosur i rolit të Amerikës në Evropë – e cilëson tani Francën si aleaten e saj më të rëndësishme.

Askush nuk mund të parashikojë se si mund të ndryshojnë këto qëndrime përballë një kërcënimi ushtarak nga lindja. Edhe nëse administrata Biden e vë nën kontroll pandeminë, dhe rinis rritjen ekonomike dhe stabilizon institucionet politike amerikane, evropianët mund t`i rishikojnë pikëpamjet e tyre rreth aleancës trans-atlantike. Administrata e Bajdenit po mëson të vërtetën e maksimës antike të Heraklitit:“Nuk mund të kalosh dy herë në të njëjtin lumë!”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al