Nga Walter Russell Mead “The Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-abcnews.al
Vëmendja e botës mund të jetë e përqendruar me të drejtë tek sfida e Rusisë ndaj Ukrainës. Por administrata e presidentit amerikan Joe Biden, përballet me një problem shumë më të madh:një sfidë në rritje nga Kina, Rusia dhe oportunistët si Irani dhe Koreja e Veriut ndaj rendit global që trashëgoi SHBA,nga një Perandori Britanike e lëkundur në vitet 1940.
Ndërsa Vladimir Putin e ka forcuar ndikimin e tij në Bjellorusi, dhe e ka përshkallëzuar “luftën e nervave” ndaj Ukrainës, Kina sinjalizoi mbështetjen e saj për politikën e Rusisë në Ukrainë. Po ashtu ajo dërgoi një numër rekord avionësh luftarakë në zonën e mbrojtjes së Tajvanit, kreu stërvitje të përbashkëta detare me Rusinë pranë Japonisë, dhe e shtoi praninë e saj detare midis Japonisë dhe Tajvanit.
Ndërsa ambasadori i Kinës në Shtetet e Bashkuara, paralajmëroi për një rrezik në rritje të shpërthimit të luftës mbi ishull, Jin Canrong, një nga analistët më të njohur kinezë, që ka shumë kontakte në radhët e drejtuesve të lartë të Partisë Komuniste Kineze, parashikoi se Kina do të kryente një “bashkim me dhunë” me Tajvanin brenda vitit 2027.
Për disa ekspertë, ky përshkallëzim i krizave globale, ilustroi më së miri limitet e fuqisë amerikane. Ata pyesin:Pse për çdo problem në botë, kërkohet ndërhyrja e Amerikës? Pse të mos bëjmë një shkëputje nga hallet e planetit, duke e kthyer vëmendjen ndaj problemeve më emergjente brenda SHBA-së?
Kjo është padyshim një ide joshëse. Por herën e fundit që e provuam, gjërat nuk shkuan dhe aq mirë. Në vitet, 1920 amerikanët shpresonin se mbrojtja e parimeve demokratike, ligjit ndërkombëtar dhe bashkëpunimin ekonomik me vendet e tjera, mund të parandalonte një luftë tjetër botërore.
Por kjo nuk ndodhi, dhe pas tronditjes që shkaktoi Luftae Dytë Botërore dhe armiqësisë së pasluftës nga ana e Josif Stalinit, politikë-bërësit amerikanë vendosën se ndërtimi i një versioni të amerikanizuar të sistemit të vjetër botëror britanik, pra një rend ekonomik global i mbështetur nga fuqia ushtarake amerikane, ishte mënyra më e sigurt dhe më e lirë nga pikëpamja ekonomike për të mbrojtur interesat thelbësore të SHBA-së.
Sistemi i pasvitit 1945 tregoi se ishte i qëndrueshëm dhe efektiv, duke e zbutur ndjeshëm sfidën e sovjetikëve, siguruar integrimin e vendeve post-koloniale në një ekonomi botërore në zgjerim, duke parandaluar luftërat midis fuqive të mëdha përgjatë 7 dekadave, dhe përfshirë në sistem Gjermaninë dhe Japoninë si “aktore të përgjegjshme”në një rend botëror që dikur ishin përpjekur ta shkatërronin.
Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, politikë-bërësit amerikanë shpresonin që ta zgjeronin më tej atë sistem, me Rusinë dhe Kinën që do t’i bashkoheshin Gjermanisë dhe Japonisë si shtylla kryesore të një rendi botëror të udhëhequr nga amerikanët, por ndërkombëtarisht të përgjegjshëm.
Njëkohësisht, amerikanët u përpoqën që të pastronin dhe të ngrinin një rend botëror që nuk përballej më me rivalët armiqësorë komunistë, duke e vënë më shumë theksin tek të drejtat e njeriut, barazia e grave, promovimi i demokracisë, dhe çështje të tjera transnacionale si ndryshimi i klimës dhe emigracioni.
Por versioni i pasvitit 1990 i projektit të vitit të largët 1945 ka hasur shumë rezistencë, sepse Rusia dhe Kina refuzojnë kategorikisht të pranojnë vizionin amerikan të një bote të pas Luftës së Ftohtë.
Në kushtet kur opinioni amerikan është gjithnjë e më i ndarë mbi elementët bazë të strategjisë sonë të ndërtimit të rendit botëror, që variojnë nga tregtia e lirë deri tek garancitë e sigurisë globale,apo edhe rolin që duhet të kenë çështjeve të tilla si ndryshimi i klimës dhe të drejtat LGBTQ në politikën e jashtme amerikane, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që presidentët të gjejnë mbështetje të brendshme sa i përket politikës së jashtme, ndonëse situata globale po bëhet gjithnjë e më e zymtë.
Por me pesimizmin teprohet lehtësisht. Historia nuk nisi në vitin 1945, dhe ka arsye të rëndësishme strukturore se përse Britania dhe SHBA-ja qenë në gjendje të ndërtonin dhe mbronin një sistem botëror kapitalist liberal, i cili në disa aspekte daton që nga luftërat e shekullit XVII-të midis Britanisë dhe Francës.
Modeli britanik i një shoqërie liberale dhe pro-biznesit në vend, i fokusuar tek tregtia globale dhe fuqia detare, u tregua i fortë dhe i qëndrueshëm. Louis XIV, Napoleoni, Kajzeri Wilhelm II, Adolf Hitleri, Japonia Perandorake dhe Bashkimi Sovjetik, u përpoqën që të shkatërronin sistemin botëror anglo-amerikan, që ishte në zhvillim e sipër.
Të gjithë ata bënë histori, dhe e tronditën deri në themel këtë rend. Por gjithsesi në fund të gjithë ata dështuan. Faktorët që kontribuojnë në suksesin afatgjatë të rendit anglo-amerikan, janë të pranishëm ende sot.
Një shoqëri e hapur dhe një klimë konkurruese në biznes, promovojnë përparimin teknologjik dhe rritjen ekonomike, të cilat garantojnë politikën tonë të jashtme. Si një fuqi globale detare, e interesuar në parandalimin e fuqive të mëdha tokësore nga dominimi i Evropës ose Azisë, amerikanët janë aleatët natyrorë të shteteve më të vogla që kërkojnë të mbrohen kundër ambicieve të hegjemonëve aspirantë si Kina dhe Rusia.
Politikat dominuese kineze në rajonin e Indo-Paqësorit, i kanë forcuar aleancat e SHBA-së atje, ndërkohë që kërcënimet e Rusisë ndaj Ukrainës po e ripërtërijnë NATO-n, dhe po u kujtojnë evropianëve se pavarësisht të gjithave, Uashingtoni mbetet një aleat i mirë.
Winston Churchill e përgatiti veten për luftën kundër Hitlerit, duke studiuar metodën ushtarake dhe diplomatike të paraardhësit të tij John Churchill që solli fitoren ndaj mbretit të Francës Louis XIV. Theodore Roosevelt ishte një nxënës serioz i historisë britanike dhe amerikane, ashtu si edhe kushëriri i tij Franklin.
Mjerisht, në dekadat e fundit sistemi arsimor amerikan, e ka trajtuar me dyshim dhe përbuzje studimin e themeleve të suksesit amerikan. Amerikanët që synojnë të përgatiten për betejat e epokës sonë, do të bënin mirë të rifreskonin dijet e tyre mbi historinë e sistemit botëror, që na kërkohet sërish qëta mbrojmë. /Abcnews.al