“Amerika e Para”, rriten me 50% tarifat për mallrat e importuara

schedule22:17 - 23 Janar, 2018

schedule 22:17 - 23 Janar, 2018

Në zbatim të politikës “Amerika e Para”, administrata Trump ka rritur me 50 për qind taksat për produktet e importuara. Lëvizja ka acaruar Kinën dhe Korenë e Jugut, dy partnerë të rëndësishëm tregtarë të Amerikës, që kanë premtuar se do të marrin masa.

Politika “Amerika First” e presidentit Trump ka sjellë krisjet e para në marrëdhëniet tregtare të Shteteve të Bashkuara. Masa e administratës amerikane, që synon mbrojtjen e prodhuesve vendas nga konkurrenca e huaj, parashikon rritjen deri në 50 për qind të taksave për mallrat e importuara.

Më të prekurat nga ky vendim janë Korea e Jugut dhe Kina, të cilat janë zotuar se do të mbrojnë interesat e tyre legjitime. Seuli, që është dhe eksportuesi kryesor i lavatriçeve, ka deklaruar se do të ankohet për këtë vendim në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ndërsa Kina, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të paneleve diellore, e ka cilësuar veprimin e Amerikës si të tepruar dhe ka bërë me dije se do të bashkëpunojë me vende të tjera anëtare të OBT për të mbrojtur interesat e saj. Nga Forumi Ekonomik Botëror që po zhvillohet në Davos edhe kryeministri i Indisë, Narendra Modi u shpreh kundër rritjes tarifave.

“Forcat proteksioniste po ngrenë kokën kundër globalizimit. Qëllimi i tyre nuk është ta shmangin globalizimin, por të kthejnë në drejtim të kundërt rrjedhën normale të tij”, tha Modi.
Meksika, një tjetër partner i rëndësishëm tregtar i Shteteve të Bashkuara, shprehu keqardhjen dhe njoftoi se do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për t’iu përgjigjur vendimit të Amerikës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!