Ambasadorja e Ukrainës në SHBA: Të gjithë ukrainasit do të luftojnë për të mbrojtur shtëpitë e tyre

schedule19:00 - 24 Shkurt, 2022

schedule 19:00 - 24 Shkurt, 2022

Ambasadorja e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Oksana Markarova, tha të enjten se të gjithë ukrainasit do të luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre përballë pushtimit rus.

“Fryma luftarake e ushtrisë ukrainase është e mirë”, tha Markarova në një konferencë shtypi në Uashington, DC.

“Ne po luftojmë. Ne do të luftojmë. Ne, jo vetëm ushtria jonë e guximshme dhe e motivuar, por të gjithë ukrainasit, ne po mbrojmë shtëpitë tona dhe nuk do të ndalemi”, tha ajo.

Markarova shprehu falënderime për presidentin amerikan Joe Biden për deklaratën që erdhi disa minuta pas vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të nisur sulmin ushtarak, si dhe aleatët e tjerë të cilët dolën në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës.

“Ne e vlerësojmë të gjithë mbështetjen. Është shumë e rëndësishme për ne”, tha ajo. “Por është gjithashtu koha për të vepruar. Dhe ne i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të veprojë menjëherë.”

E pyetur nga CNN nëse ajo besonte se presidenti rus Vladimir Putin do të ishte penguar nëse SHBA do të kishte vendosur sanksione më të forta më herët, Markarova tha, “ne jemi aty ku jemi…kështu që le të përqendrohemi në sanksionet që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të vendosin tani.” /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!