Ambasadorja franceze, Christine Vasak, ka folur nga Korça për reformën në drejtësi. Ambasadorja Vasak tha se Gjykata Kushtetuese dhe Shkolla e Magjistraturës duhet të vihen sa më shpejt në funksion. Sipas saj, vetëm me zbatimin e reformave, Shqipëria mund të bëjë realitet perspektivën europiane.
“Reforma në drejtësi po ndjek ecurinë e saj. Ka shumë etapa, të cilat duhen plotësuar, përfshirë edhe nivelet më të larta të sistemit gjyqësor. Gjykata Kushtetuese duhet të vihet në funksion sa më shpejt të jetë e mundur. E gjithë klasa politike e di këtë. Këshilli i Europës ka bërë një rekomandim në 26 Qershor dhe perspektiva e negociatave duhet të bëhet realitet deri Qershorin e vitit të ardhshëm. Kjo supozon që reformat duhet të vazhdojnë dhe reforma në drejtësi duhet të përfundojë. Duhet të funksionojë shkolla e Magjistraturës, të cilën ne e kemi mbështetur prej fillimit. Ne besojmë në një Magjistraturë të formuar mirë, kurajoze, që vepron sipas ligjit. Kjo supozon të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar. Rruga është e qartë dhe duhet punuar për realizimin e reformave”./abcnews.al