Ambasadori i Kinës në Washington, Xie Feng i bëri thirrje SHBA-së që të ndërmarrë “hapa konkretë” për të “vendosur sërish në rrugën e duhur marrëdhëniet dypalëshe”.
Në një deklaratë nga ambasada e Kinës në Washington thuhet se në takimin që ambasadori Xie zhvilloi me nënsekretarin e mbrojtjes së SHBA-së për çështjet e Sigurisë së Indo-Paqësorit, Ely Ratner u shkëmbyen pikëpamje për çështje ushtarake dhe interesa të përbashkëta.
Në deklaratë thuhet se Washingtoni duhet të “trajtojë në mënyrë të kujdesshme çështjet e rëndësishme si çështja e Tajvanit” në mënyrë që “marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ushtarake të vendosen sërish në rrugën e duhur”.
Duke vënë në dukje se interesi i përbashkët i Kinës dhe SHBA-së kalon përmes marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme dypalëshe, Xie Feng i bëri thirrje Washingtonit që “përmes hapave konkretë të heqë dhe të menaxhojë dallimet” në lidhje me marrëdhëniet ndërshtetërore dhe ushtarake.
Ndërkohë Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka dhënë deklaratë lidhur me takimin.