Ambasadori kërkon azil politik në Romë

schedule11:37 - 3 Janar, 2019

schedule 11:37 - 3 Janar, 2019

Ambasadori i Koresë së Veriut në Romë, ka kërkuar azil politik në Itali sëbashku me familjen e tij. Lajmi konfirmohet nga mediat koreanojugore të cilat shkruajnë se kërkesa është bërë në fillim të muajit Dhjetor e që tashmë ai është në një vend të sigurtë i mbrojtur nga autoritetet italiane. Por Roma zyrtare u shpreh se ambasadori nuk ka kërkuar azil politik.

Jo Song-gil, për më shumë se një vit ambassador i Koresë së Veriut në Romë ka kërkuar azil politik me familjen e tij që në muajin Dhjetor në Itali. Lajmi është publikuar nga mediat koreanojugore, që citojnë burime anonime diplomatike në Seul. Po sipas këtyre burimeve ambasadori është i mbrojtur nga autoritetet italiane dhe ndodhet në një vend të sigurtë.

Kërkesa për azil është e para për një diplomat të Koresë së Veriut që nga dezertimi në 2016-n numrit dy të ambasadës koreanoveriore në Londër. Jo, 48 vjeç, mbante këtë post që nga 9 Tetori i 2017-s pas dëbimit nga vendi të ambasadorit të atëhershëm si pasojë e testit me raketë bërthamore në muajin Shtator në Penian. Ai është gjithashtu djali ose dhëndri i një funksionari shumë të lartë në Korenë e Veriut, sqarojnë më tej mediat koreanojugore.

Në përgjithësi si një metodë pët të parandaluar arratisjet, diplomatët e Koresë së Veriut largohen nga atdheu duke lënë atje disa anëtarë të familjes sidomos fëmijët. Por Jo mori me vete në Romë të gjithë familjen e tij, duke konfirmuar se i përket një familjeje të privilegjuar në Penian./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!