Ambasadori gjerman në Beograd: Kosova kusht për integrimin e Serbisë

schedule15:24 - 2 Tetor, 2019

schedule 15:24 - 2 Tetor, 2019

Formati i dialogut Kosovë-Serbi nuk ka për ndryshuar: ai do të zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Kështu ka deklaruar ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Tomas Shib. Megjithatë, në një intervistë për median në Beograd, diplomati gjerman, ka lënë të kuptohet se Brukseli po shqyrton mundësinë e caktimit të një ndërmjetësi të posaçëm.

Tomas Shib, ambasador i Gjermanisë në Beograd, i ka vlerësuar si të mira marrëdhëniet e vendit të tij me Serbinë, por në të njëjtën kohë ka konfirmuar se ka dallime sa i përket çështjes së Kosovës. Duke folur për televizionin proqeveritar “PRVA”, ambasadori Shib tha se Gjermania angazhohet për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës.

Sipas tij, zgjidhja e çështjes kosovare është kusht që Serbia të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Duke shprehur shpresën se dialogu do të zhbllokohet, pas zgjedhjeve të 6 Tetorit në Kosovë, edhe me heqjen e tarifave për mallrat serbe, të vendosura nga qeveria Haradinaj, ambasadori i Gjermanisë, ka folur edhe nëse vendi i tij, por edhe Franca, kanë strategji për të çuar përpara negociatat e ndërprera.

“Gjermania dhe Franca vazhdojnë të  mbështesin, procesin e dialogut, por formati do të jetë i njëjtë: Beogradi dhe Prishtina dialogojnë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe të përfaqësuesit të ri Borrellit. Po mendohet nëse do të ketë edhe ndonjë të dërguar të posaçëm i cili do të jetë kompetent pikërisht për procesin e dialogut. Nuk do të krijojmë format të ri, por dëshirojmë të mbështesim dialogun me shpresën se do të kemi edhe ndonjë lëvizje përpara”, transmeton TV Klan Macedonia deklaratën e ambasadori gjerman në Beograd.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, i ka deklaruar të mërkurën televizionit shtetëror se si për shkak të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës paska shpërthyer një konflikt i madh mes Departamentit të Shtetit dhe Kongresit amerikan me kryeprotagonistë Sekretarin Mike Pompeo dhe kongresistin Eliot Engel./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!