Ambasadat për fushatë/ Luzha: Nuk është mirë të përdoren resurset shtetërore për fushatat partiake

schedule17:23 - 12 Nëntor, 2024

schedule 17:23 - 12 Nëntor, 2024

Opionistja Besa Luzha ka deklaruar në emisionin “Ballkan Update” se nuk është mirë që të përdoren resurset shtetërore për fushata partiake. Ajo ka thënë se LVV e ka nisur fushatën para kohe, pasi i ka shumë të rëndësishme votat e diasporës.

Sipas Luzhës, më herët LVV ka reaguar ashpër, kur partitë e tjera që kanë qenë në pushtet kanë përdorur resurset që kanë pasur në dispozicion, ndërsa tani po bën vetë të njëjtën gjë.

“Fushata edhe pse ka filluar praktikisht, zyrtarisht duhet të fillojë në kohën e duhur, pasi zgjedhjet janë në 8 shkurt dhe kanë një kohë të caktuar për fushatë. Të gjitha qeveritë, duke qenë në fund të qeverisjes kanë shfrytëzuar resurset e pushtetit për të bërë fushatën, por kjo që po ndodh me Lëvizjen VetëVendosja është pak më e pazakontë. Nuk ka rastisur që fushata të fillojë në disporë dhe duke shfrytëzuar institucionet e Kosovës, siç janë ambasadat përfaqësuese. Kjo po ndodh për herë të parë dhe nuk është mirë që po ndodh. LVV ka reaguar shumë ashpër më herët, kur partitë e tjera që kanë qenë në pushtet kanë përdorur veturat zyrtare apo resurset që kanë pasur në dispozicion.

Një kontigjent i votave për VetëVendosjen kanë ardhur nga diaspora, sepse temat që kanë qene të prekura nga Lëvizja VetëVendosje, kundërshtimi i një zbërthimi, brenda një institucioni brenda republikës së Kosovës, dialogu i pasuksesshëm, të gjitha këto tema i prekin emocionet e diasporës, edhe pse ata nuk jetojnë këtu, jetojnë me shqetësimet tona. Në këtë moment, LVV ka arritur ta prekë këtë emocion dhe ka arritur të mbledhë një numër jashtëzakonisht të madh votash nga diaspora, herën e kaluar për ta bërë atë ndryshimin e premtuar dhe për të larguar nga pushteti partitë që ishin për disa vite me radhë në pushtet”, u shpreh ajo./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!