Ambasada e SHBA bën thirrje: Aplikoni për KLGJ

schedule20:32 - 28 Gusht, 2018

schedule 20:32 - 28 Gusht, 2018

Ambasada e SHBA në Shqipëri i ka bërë thirrje gjyqtarëve të aplikojnë për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, një organ i ri i Reformës në drejtësi, e cila është ndjekur dhe mbështetur me mjaft kujdes nga Uashingtoni. Në një status në rrjetin social Facebook Ambasada Amerikane shkruan:

“Shqipëria është në prag të krijimit të një sistemi drejtësie që vërtet i shërben interesave të qytetarëve të saj. Iu bëjmë thirrje gjykatësve të ndershëm, patriotë dhe me integritet nga Gjykatat e Apelit që të bëjnë përpara dhe t’i shërbejnë vendit të tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Bëhuni pjesë e të ardhmes së Shqipërisë!”–Përfundon mesazhi i Ambasadës Amerikane, që publikon njëkohësisht edhe linkun ku mund të bëhet aplikimi nga të interesuarit.

Disa ditë më parë edhe Gjykata e Lartë bëri thirrje për të aplikuar për një vend vakant në Këshillin e Lartë Gjyqësor, që u takon gjyqtarëve nga gjykatat e apelit në rrethe. Ky vend mbeti bosh pas shkarkimit të gjyqtarit Besim Trezhnjeva nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Në përgjithësi frika nga Vetingu i ka stepur gjyqtarët për të aplikuar për organet e reja të sistemit tonë të drejtësisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!