Ambasada afgane në Londër do të mbyllet pasi diplomatët e saj u shkarkuan nga talibanët, që udhëheqin me Afganistanin, bëri të ditur Zyra e Jashtme e Britanisë më 9 shtator.
Përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo zyrë tha se ambasada “po mbyllet pas shkarkimit të stafit të saj nga talibanët”. Britania nuk e njeh qeverinë e udhëhequr nga talibanët.
Por, ambasadori afgan tha se vendimi është marrë “bazuar në kërkesat e autoritetit të shtetit mikpritës”. Zalmai Rassoul shkroi në X se Ambasada do të mbyllë dyert e saj më 27 shtator “në bazë të kërkesës zyrtare të shtetit mikpritës”.
As Qeveria britanike, e as ambasadori nuk thanë se çfarë do të ndodhë me stafin e Ambasadës, por një burim në Ambasadën afgane, i cili foli në kushte anonimiteti me REL-in, tha se Qeveria britanike i ka dhënë stafit të Ambasadës 90 ditë kohë që të largohet nga shteti apo të aplikojë për azil politik.